“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, përmes protestës kërkohet që dhuna dhe vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare

Prishtinë | 05 Dhj 2023 | 18:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me thirrjet “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”, organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka mbajtur protestë gjithëpopullore, duke kërkuar që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare, raporton Ekonomia Online. 

Protesta e nxitur nga vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, nisi me thirrjet “liri, barazi, solidaritet”.

Një numër i protestuesve kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrimin “Burrat vrasin gratë, shteti heshtë”, “Drejtësi për Liridonën”, “Gjykata armike të grave” e të tjera, duke kërkuar kështu që ky fenomen të trajtohet me urgjencë nga shteti dhe që vrasësit të marrin dënimin e merituar nga institucionet përkatëse

Protestuesit gjatë protestës kanë përmendur emrat e grave të vrara përgjatë viteve në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për secilën prej tyre.

Prezent në protestë janë parë edhe të afërmit e së ndjerës Liridonës, duke mbajtur pankarta në duar “Drejtësi për Liridonën!”.

Liridona Sijarina, nga organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, tha se janë mbledhur për të treguar, sipas saj, që kjo gjendje lufte që vajzat dhe gratë po e përjetojnë duhet të përfundojnë një here e përgjithmonë.

“Jemi mbledhur këtu nga dhimbja dhe revolta e përditshme dhe femicidi që po ju behët vajzave edhe grave. Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë janë në rrezik, jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte që ne si vajza e gra e përjetojmë duhet të përfundoj një here e përgjithmonë. Kjo mund të ndodhe nëse bashkohemi të gjithë ne”, tha ajo

Të ngjashme