Kam lexu shumë tituj të mediave rreth qasjes dhe raportimeve nga qeveria për ekonominë. Dëshiroj me i nda kuptueshmërinë time dhe me shpjegu, ashtu si i kuptoj vetë, qasjen dhe metodën që përdorë qeveria dhe ministrat.
Fillimisht, Besnik Bislimi dhe Hekuran Murati nuk janë ‘rrenca’. Janë njerëz seriozë në parim. Kur ne themi që po aplikohet propagandë rreth ekonomisë, nuk po themi që ata po rrejnë. Si funksionon kjo?
Për shembull ne kemi rastet si me rritjen ekonomike/GDP, numrin e të punësuarëve dhe investimet e huaja direkte. Këto janë rastet kryesore me të cilat ballafaqohemi. Kur Bislimi apo Murati deklarojnë që ka pasur rritje ekonomike, apo janë 75,000 më shumë të punësuar… apo ka rritje të investimeve të huaja direkte, të gjitha qëndrojnë, nuk janë gënjeshtra, për se?
Problemi është që ato statistika dhe të dhëna nuk paraqiten plotësisht. Qeveria, zvKM, ministri i Financave aplikojnë dhe komunikojnë të dhëna parciale që e paraqesin realitetin pozitivisht. Në të njëjtën kohë ata fshehin, apo nuk i tregojnë aspektet tjera që mund të jenë negative.
Rasti 1: Punësimi/ Papunësia – Kur ministri apo qeveria thotë kemi 75,000 persona më shumë të punësuar, ata e thonë këtë në bazë të të dhënave të punësimit nga Agjencia e Statistikave. Ata nuk guxojnë me gënjy me këto të dhëna, se është krim dhe munden me u ndjek penalisht. Por çfarë ata bëjnë është se nuk tregojnë që kemi rreth 700,000 persona jashtë tregu të punës. Ata thonë papunësia është 10.5%, por nuk thojnë punësimi është vetëm 37%. Si ka mundësi papunësia me qenë vetëm 10.5% kur punësimi është vetëm 37%? Ku janë edhe 60% tjerë të moshës së punës që nuk paraqiten askund? Këtu fshihet sekreti. Pra në parim, ata deklarojnë ‘saktë’ me gjendjen në letra, por realiteti është ndryshe. Kosova ka rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 425,000 janë të punësuar. Fundja lidhja kryesore e migrimit të thellë viteve të fundit lidhjet me papunësinë, këtë edhe në raport të BE-së u konfirmua këtë javë.
Rasti 2 me investimet të huaja direkte – Edhe këtu, kur Bislimi apo Murati thonë ‘janë rritur investimet e jashtme’ kjo qëndron dhe është lehtësisht e verifikuar nga raportet e Bankës Qendrore. Problemi është tek kualiteti i investimeve. Rreth 60% janë blerje të banesave nga disapora. Rreth 22% janë nga institucionet financiare dhe sigurime. Rreth 83% e bankave në Kosovë janë në pronësi të huaj nga jashtë. Kjo i bjen që rreth 82% e investimeve në Kosovë nuk janë shumë kualitative, edhe pse nuk duhet me i nëncmu. E në anën tjetër, i kemi vetëm rreth 0.14% investime në prodhim, përqindje e ngjashme edhe për investime në bujqësi dhe teknologji. Pra nuk ka investime klasike por jane me strukturë dhe kualitet ndryshe. Nuk e kemi një rast psh ku thuhet ‘kompania x ka investuar 850m dhe ka hapur 500 vende pune, do rris eksportin për 3%”..
Rasti 3 rreth rritjes ekonomike – Edhe rritje ekonomike kemi, Kosova ka pasur gjithmonë. Ne kemi një bazë shumë modeste ekonomike, vetëm rreth 10 miliardë në vit. Rritja mesatare psh gjatë viteve 2014-2020 ka qenë 3.2%. Ekonomia jonë edhe pa qeveri fare rritet aq, kryesisht me konsum. Por ka shumë pjesë tjera të rëndësishme në variabël që nuk përmenden. Inflacioni! Nuk tregohet që në disa produkte bazë të ushqimit kemi pasur rritje deri 70% të cmimeve. Indeksi mesatar i inflacionit në vitin 2022 ka shku në 11.4%. Nuk përmenden imporoti kronik dhe deficiti jashtë kontrolli tashmë. Vetëm në mallra kemi rreth 5 miliardë euro humje në vit (50% e ekonomisë). Eksporti i Shërbimeve na shpëton sadopak, por përsëri humbjet apo deficitin e kemi në 30% të GDP. Kjo është një vlerë shumë e madhe. Politikat qeveritare ku janë rritur alokimet në politika sociale dhe janë zvogëluar mesatarisht investimet publike kapitale e kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike.
….
Këto pra janë metodat se si i përdorë qeveria dhe KM, zvKM dhe Min i Financave numrat dhe statistikat. Janë të anshme dhe pjesëshme. Nuk e paraqesin realitetin socio-ekonomik. Kemi një ekonimi dhe punësim të mirë në letra, por në realitet nuk është ashtu. Këtë e kam quajtur #Kurtonomia apo qeverisje ekonomike nga qeveria e Kurtit. Kosova ka GDP për banorë më të ulëtën në rajon dhe arrinë vetëm 25% të mesatarës së BE-së. Shkallën e punësimit më të ulëtën në rajon gjithashtu.
Në këtë situatë, nevojitet një ndjeshmëri dhe maturi më e thellë nga qeveria, KM dhe ministrat dhe mos të propagandojnë vetëm pjesët pozitive, se fundja ekonomia kuptohet kur qytetari shkon te arka fiskale e marketeve për të paguar faturën. E fuqia blerëse e kosovarit gjatë mandatit të qeverisë kurti është shkatërruar thelbësisht. Nuk kemi si të krenohemi me ekonominë në këto rrethana, duhet të gjejmë mënyra si të ju ndihmojmë bizneseve dhe qytetarëve të fuqizohen.