Nura thotë se Qeveria nuk ka ndarë asnjë cent për Skenderajn: Po duhet t’i falënderojmë donatorët

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ende nuk i ka kompensuar dëmet për komunat e prekura në vërshimet e këtij viti, ani pse u zotua se do të bëjë një gjë tillë.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, thotë se asnjë hap nuk është marrë nga Qeveria e Kosovës, madje sipas tij, nuk janë ftuar as në takime për të trajtuar këtë çështje.

Nura thotë se ka pas takim me Komisionin Qendror, por informacione nga Qeveria se çfarë do të bëjë me premtimin e dhënë nuk ka.

“Asnjë hap nuk është marrë, as nuk ka informata që do të merret ndonjë hap tash e tutje. Ne e kemi kryer punën tonë, i kemi vlerësuar të dhënat ashtu siç thotë Ligji mbi fatkeqitë natyrore.Ne kemi proceduar më tutje, me Komisionin Qendror kam pas takim me ta ku e trajtuan këtë çështje dhe e kanë përcjell në Qeveri, por më teper nuk kamë asnjë informatë”, tha Nura.

Krahas kësaj, Nura thotë se tashmë në Skenderaj janë nisur pesë shtëpi që kanë qenë totalisht të shkatërruara nga vërshimet, për këtë ai ka falënderuar Halil Kastratin dhe Selim Pacollin.

“Ne nuk kemi pasur takim, as me presidenten dhe as me kryeministrin, ani pse u zotuan se komunat e prekura nga vërshimet do të kompensohen.Përndyrshe, bashkë me Halil Kastratin dhe Selim Pacollin i kemi nisur pesë shtëpi që kanë qenë të shkatërruara totalisht. Qef do të kisha të falënderoja qeverinë, por duhet t’i falënderojë donatorët që po na ndihmojnë”, tha Nura për GazetaBlic.

Në komunën e Skenderajt dëmet nga vërshimet llogariten mbi 10 milionë euro. Kjo së pak nga vlerësimet që janë bërë në teren.

Të ngjashme