Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja, ka paraqitur sot 26 zotimet e tij për Pejën.
Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve; regjistrimi i bujtinave dhe EtnoParku në Rugovë; rikthimi i parkingjeve publike; rrjeti i ndriçimit në çdo lagje dhe fshat; transparenca radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale; rritja e subvencioneve bujqësore dhe ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik; janë disa nga zotimet që i ka shpjeguar Nurboja para simpatizantëve të VV-së.
26 Zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Komunën e Pejës
1. Qendra të mjekësisë familjare të rinovuara dhe të funksionalizuara me qasje të lehtë për të gjithë qytetarët.
2. Riparimi dhe funksionalizimi i Ambulancës në Rugovë me kujdestari 24h për banorët dhe turistët.
3. Hapja e 5 çerdheve të reja brenda 3 viteve në 7 shtatori, Rrokaqielli, Zatra, Lugë të Baranit dhe Qyshkë.
4. Përzgjedhja e drejtorëve të shkollave me pjesëmarrjen e komunitetit.
5. Vizita sistematike shendetësore në shkolla dhe shujta për nxënësit deri në klasën e 5-të.
6. Kabinete, laboratore, kënde leximi dhe kurse me mësim plotësues për çdo shkollë.
7. Pajisja e institucioneve publike dhe shkollave me aparaturë për shuarjen e zjarrit.
8. Ndërtimi i 40 banesave në lagjën “Sahat Kulla” dhe shpërndarja e tyre për familjet e pastreha, rastet sociale dhe kategoritë e dala nga lufta brenda 4 viteve.
9. Banim me kosto të përballueshme për punëtorët e sektorit publik me mundësi pagese pa kamatë.
10. Regjistrimi i bujtinave të turizmit në Rugovë, ndërkombëtarizmi dhe regjistrimi i tyre në platformat turistike botërore (Smart Tourism).
11. Linjë turistike e rregullt Pejë-Rugovë.
12. Ndarja e hapësirës publike për ndërtimin e EtnoParkut në Rugovë.
13. Ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe legalizimi i ndërtimeve që nuk janë në konflikt me planin urbanistik.
14. Krijimi i ndërmarrjes publike banesore për mirëmbajtjen e ashensorëve, pastrimin e korridoreve, mirëmbajtjen e sistemit të ndriçimit dhe ngjyrosjen e objekteve.
15. Rikthimi i parkingjeve publike në menaxhim të Komunës dhe organizimi i tyre me çmim të përballueshëm për qytetarët.
16. Çdo lagje dhe fshat në Komunën e Pejës do të ketë rrjet të ndriçimit brenda 4 viteve.
17. Transparencë radikale në prokurim, subvencione, shpenzime komunale, punësim si dhe digjitalizim i shërbimeve komunale (e-Prokurimi, e-Denoncimi, e-Rekrutimi).
18. Rritja e subvencioneve bujqësore për projektet me iniciativa grupore dhe ndarja e pronave bujqësore komunale për shfrytëzim nga bujqit.
19. Mbështetja e bujqve dhe fermerëve nga Drejtoria e Bujqësisë me trajnime dhe konsulencë.
20. Rregullimi i problemit me qentë endacak duke bërë kastrimin dhe aktivizimin e qendrës për mbajtjen e kafshëve.
21. Angazhimi i Komunës për moslejimin e privatizimit të Kinemasë së qytetit.
22. Rritja e hapësirës së bibliotekës së qytetit dhe pasurimi me tekste shkencore.
23. Organizimi i Festivalit të artistëve të rinj për krijimin e filmave të shkurtër.
24. Largimi i zyrtarëve të subjekteve politike nga menaxhimi i klubeve sportive të qytetit, ndarje e ndershme e subvencioneve dhe organizim i tribunave për sponzorim.
25. Organizim i ligës sportive të shkollave fillore dhe të mesme.
26. Mbështetje për teatrin duke krijuar një kalendar të plotë artistik dhe promovim të shfaqjeve.