Nurellari i PDK-së kritikon Kurtin për krizën energjetike: E humbi shansin

Prishtinë | 08 Sht 2022 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Adri Nurellari, ka kritikuar kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti se ka humbur shansin për ta kthyer krizën energjetike në mundësi për Kosovën.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shpjeguar se çmimi i qymyrit është rritur gjithandej, ndërkohë që Kosova fle në rezervën e dytë më të madhe në Evropë të linjitit me mbi 14 miliardë tonë qymyr.

“Me gjithë këtë pasuri nëntoksore dhe këtë rrethana të favorshme, po të kishim një qeveri profesionale e të përgjegjshme në Kosovë, jo vetëm që nuk do kishte ndërprerje rryme por do kishte të hyra të majme buxhetore. Sot Kosova do duhej të kishte shumëfishuar nxjerrjen e linjitit për të furnizuar nevojën në rritje për qymyr të vendeve fqinje duke shënuar për herë të parë një bilanc tregtar pozitiv nëpërmjet shitjes ose shkëmbimit me rrymë elektrike”, shkruan ai.

Nurellari thotë se Qeveria e Kosovës sot do të duhej të ndërmerrte diplomaci ekonomike duke përdorur nevojat në rritje për qymyr jo vetëm për të siguruar rrymë të vazhdueshme për Kosovën e fitime, por edhe për të siguruar favore e koncesione diplomatike.

“Një ndër vendimet më të gabuara që ka marrë Kurti ka qenë pikërisht ai i qershorit për të refuzuar propozimin e Serbisë, t’i dhënë Kosovës energji elektrike në shkëmbim të thëngjill. Kjo ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën pasi Serbia është ndër vendet më të varura nga termocentralet me qymyr, që përbëjnë 70% të nevojave për energji. Serbia ka autorizuar korporatën energjitike të blejë sa më shpejt 3 milionë tonë qymyr që me çmimin e tregut do të thotë mbi 1 miliardë euro blerje”, shkruan ai.

Nurellari e cilëson këtë veprim të Kurtit si hap hipokrit, duke thënë se kryeministri në njërën anë “shitet si patriot i flaktë dhe refuzon të marrë rrymë elektrike nga Serbia, e nga ana tjetër qeveria ndan 40 milionë euro për KOSTT-in për rrymën në veri dhe importet prej Serbisë kanë qenë mbi 300 milionë euro vjet”

Tutje ai ka propozuar që Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë pasurinë më të madhe natyrore të saj, qymyrin, në të mirë të qytetarëve të saj.

“Megjithatë ende ka mundësi që kjo qeveri të dalë nga gjumi, të largohet nga sjellja denoncuese si të ishte në opozitë dhe t’i dalë zot vendit. Kriza energjitike me gjasa do të zgjasë disa vite dhe sanksionet ndaj Rusisë, eksportueses më të madhe të qymyrit në Evropë kanë për të zgjatur e për t’u ashpërsuar me sa duket. Në të tilla kushte qeveria e Kosovës do duhej të duhej të hiqte dorë nga përpjekja për tu shitur më katolik se papa, pra me ekologjik se BE-ja, dhe të ecte me këmbë në tokë duke shfrytëzuar pasurinë më të madhe natyrore të Kosovës, qymyrin, në të mirë të qytetarëve të saj. Qymyri do duhej të përdorej sot jo vetëm për të garantuar vazhdueshmëri furnizimi me rrymë me çmime të përballueshme por edhe për të siguruar të ardhura buxhetore shtesë që mund të përdoreshin mandej për infrastrukturë, shërbime publike më cilësore”, shkruan ai.

Të ngjashme