Nxënësit dhe studentët kërkojnë suksesin në Albanian ICT Awards

Prishtinë | 18 Mar 2017 | 12:19 | Nga

Lider në medien e teknologjisë, informacionit, komunikimit dhe sigurisë në trevat shqipfolëse, shtëpia botuese ICTSmedia po shkon drejt një tjetër edicioni të suksesshëm të garës shpërblyese mbarëkombëtare në teknologji Albanian ICT Awards.

Shfaqja e arritjeve më të mëdha të shqiptarëve në fushën e teknologjisë, informacionit dhe komunikimit por jo vetëm, është objektivi kryesor i kësaj ngjarje të përvitshme.

Pikërisht në kërkim të shfaqjes së këtyre arritjeve dhe shpërblimit të tyre, dhjetëra takime organizohen çdo vit deri në mbylljen e aplikimeve me studentë, profesorë, akademikë, inovatorë dhe të pasionuar në fushën e ICT-së.

Kjo traditë vijoi gjatë javës me takime në qytetet Tiranë, Prishtinë, Shkodër dhe Preshevë me profesionistë, studentë dhe entuziastë të teknologjisë së informacionit.

Në fokus Siguria Kibernetike dhe Ylli në Ngritje

Një qendër premtuese, plot ide, plot projekte të udhëhequra nga një mentorship plot pasion nga dy themelueset për jCoders ICT Ylli në Ngritje ofron shansin e artë jo vetëm për fëmijët e këtyre moshave por edhe vetë institucionit duke afirmuar një sukses që shkëlqen prej dy vitesh.

Të Dielën në mbrëmje, Siguria Kibernetike tema kryesore e shumë diskutimeve që morën jetë pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Tirana dhe Prishtina dy kryeqendrat e inovacionit shqipfolës

Nën shoqërimin e Koordinatorit të UBT-së Blerton Abazi, drejtuesit e garës ofruan mundësinë e artë për studentët e këtij institucioni, atë të aplikimit dhe pse jo të suksesit në një eveniment kaq të rëndësishëm sa është Albanian ICT Awards.
Me mbështetjen e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në UPT dhe profesorit Igli Tafaj, ICT Awards prezantoi studentët me kriteret e garës, mundësitë dhe shpërblimet që ofron ajo.

Një garë mbarëkombëtare

Për herë të parë, përfaqësuesit e garës udhëtuan drejt Kosovës Lindore, në qytetin shqiptar të Preshevës ku u takuan me nxënës dhe profesorë të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Shkollës së Mesme Teknike “Presheva.”
Presheva befasoi me një kreativitet ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, një helikopter i ndërtuar përmes mjeteve rrethanore i cili besohet të jetë unik në llojin e tij.

Universiteti Metropolitan dhe Universitetin Europian e shndërruan në një maratonë ditën e Enjte me plot tre të tilla brenda një dite.

Shkodra premton më shumë talent dhe iniciativë

E Premtja gjeti përfaqësuesit e garës në Universitetin Epoka në Tiranë dhe qytetin verior të Shkodrës, në Shkollën Austriake Peter Mahringer.

E specializuar në robotikë, nxënësit e shkollës Austriake gjatë takimit demonstruan disa projekte të zhvilluara dhe shprehën haptazi ambiciet për tu bërë pjesë e garës pse jo edhe të rrëmbejnë një prej çmimeve të Albanian ICT Awards.

Të përfaqësuar denjësisht në Shqipëri dhe më gjerë me projektet dhe diplomat e programeve studimore, studentët e Universitetit Epoka bartin një potencial i cili nuk kishte sesi të mos vlerësohej nga Albanian ICT Awards.
Studentët e Informatikës pranë Universitetit Luigj Gurakuqi të Shkodrës për vitin e dytë me radhë u njohën më nga afër me garën me mbështetjen e Profesoreshës Elisantila Gaci.

12 ditë nga mbyllja e aplikimeve

Albanian ICT Awards po shkon drejt një edicioni tjetër të suksesshëm duke përmbushur qëllimin dhe misionin e saj të identifikimit dhe promovimit të maratonomakëve shqiptar të teknologjisë së informacionit.

Aplikimet qëndrojnë të hapura deri më 31 Mars përmes www.ictawards.org në tetë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, Femra në ICT dhe çmimi i ri ICT Siguria Kibernetike.

Kjo garë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen tradicionale të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen dhe Albsoft.
Risi, shpërblime dhe promovime fantastike për finalistët. Këtë vit, investitorë potencial të gatshëm të mbështesin idetë e suksesshme në Albanian ICT Awards.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme