Federata Atletike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës kanë organizuar aktivitetin sportiv “Atletika për Fëmijë” me më shumë se 430 fëmijë të klasave të 5-ta të shkollave të komunës së Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, tha se qëllimi i kësaj gare është që fëmijët që nga mosha e hershme të kenë aktivitete të tilla.
“Sot ne jemi këtu në qendër të kryeqytetit ku do të zhvillojmë një garë e cila është atletika për fëmijë. Qëllimi i kësaj gare është që të shoqërorizohemi që nga fëmijëria nga mosha e re dhe nga këta presim që të bëhen kampion ballkanik, evropian dhe botëror”, tha Sylejmani.
Ai tha se ka dëshirë që fëmijët kosovarë të arrijnë rezultate kudo në botë .
“Dëshira e imja dhe e të gjithë prindërve është që fëmijët e tyre të jenë të parët në çdo lami dhe falënderoj të gjithë ata që u angazhuan për këtë gare, edhe shkollat e udhëheqësit e sportit në shkolla dhe drejtorinë për sport në Prishtinë sepse ne punojmë në bashkëpunim me gjithë sektorët e ndryshëm në Kosovë për këso gara”, tha ai, raporton EO.
Ai tha se edhe në komuna tjera të Kosovës do të ketë organizime të tilla.
“Gara të tilla do të bëjmë edhe në shumë qytete tjera ku do kemi shumë nxënës që garojnë dhe të tregojnë që jemi të shëndoshë dhe të zellshëm”, tha ai.