Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Nehat Bahtiri, i shoqëruar nga shefi i sektorit të kësaj drejtorie, Bahtir Maxhuni, kanë realizuar një vizitë në kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në këtë komunë.
Me këtë rast Bahtiri njoftoi komandantin e FSK-së, Sylejman Cakajn, se arsyeja e këtij takimi ishte koordinimi lidhur me aktivitetet të cilat do të zhvillohen nesër për nder të shënimit të ditës së FSK-së, me ç’rast do të marrin pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i nxënësve nga shkollat e mesme të Mitrovicës.
Bahtiri tha se për nder të festave të nëntorit dhe ditës së FSK-së, së bashku me Drejtorinë e Arsimit, është planifikuar një parakalim i nxënësve të disa shkollave të Mitrovicës tek kazerma e FSK-së që ata të shohin që “ushtria jonë vazhdimisht po rritet dhe po forcohet çdo ditë e më shumë”.
“FSK-ja është një mekanizëm kyç në shtetin tonë i cili punon me profesionalizëm të lartë si dhe ka arritur të bëhet një forcë profesionale, me standarde të NATO-s, e cila është shembull i përfaqësimit gjinor dhe etnik”, tha ndër të tjerash Bahtiri.
Ndërsa shefi i sektori të kësaj drejtorie, Bahtir Maxhuni, tha se drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim vazhdimisht ka pasur një bashkëpunim të mirë me FSK-në dhe gjithmonë ka qenë e gatshme të jetë pjesë e aktiviteteve dhe ushtrimeve fushore të cilat janë mbajtur nën organizmi të Komunës duke shpresuar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje.
Komandanti i FSK-së, Sylejman Cakaj, fillimisht falënderoi drejtorin Bahtiri dhe Maxhunin për vizitën dhe interesimin e tyre, duke thënë se me rastin e 27 Nëntorit, dyert e FSK-së janë të hapura për të gjithë qytetarët.
“Për shënimin e ditës së FSK-së mund të vijnë të na vizitojnë të rinjtë, fëmijët, të rriturit, madhoret, të gjitha grup moshat e qytetarëve të Kosovës, dhe t’i shohin më për së afërmi disa prej kapaciteteve tona, t’i shohin ushtarët tonë dhe ti shohin disa aktivitete tona të cilat i kemi përgatit enkas për qytetarët e Mitrovicës”, ka thënë Cakaj.
Po ashtu komandanti Cakaj njoftoi se aktiviteti do të përmbyllet me një dokumentar i cili do të përmbledh të gjitha punët e kryera nga FSK-ja në nivel të Kosovës.