Nxënësit e shkollës “Vëllezërit Frashëri” vizituan UBT-në

Prishtinë | 05 Mar 2019 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Nxënësit e klasës së pestë nga shkolla fillore “Vëllezërit Frashëri”, në Lipjan, të shoqëruar nga kujdestarja e klasës, Merita Zeqiri, kanë vizituar Kampusin Inovativ të UBT-së, me ç’rast kanë parë ambientet ku punojnë dhe zhvillojnë projektet e tyre studentët e UBT-së.

Ata u pritën nga sekretari i UBT-së, Artan Tahiri, i cili i këshilloi nxënësit që t’i kushtojnë më shumë rëndësi angazhimeve në shkollë dhe më pak gjërave që ata nuk i ndërtojnë profesionalisht.

“Është e rëndësishme që krahas notave t’i merrni edhe njohuritë për të cilat do të keni nevojë në të ardhmen, si dhe mjetet teknologjike t’i shfrytëzoni për të mirë, e jo për të humbur kohë”, i këshilloi fëmijët Tahiri.

Nxënësit patën rastin të shohin mënyrën e funksionimit të robotit, teksa të impresionuar, ata bënë dhjetëra pyetje mbi mënyrën e ndërtimit, programimit dhe përdorimit të robotëve.

Ata panë edhe robotë të tjerë në laboratorin e mekatronikës, bibliotekën e UBT-së me më shumë se 250 mijë tituj, poliklinikën e UBT-së, si dhe laboratorët e tjerë, ku studentët e programeve të ndryshme i kryejnë projektet e tyre universitare.

Kujdestarja e klasës, Merita Zeqiri u nda e kënaqur me vizitën e studentëve, teksa i inkurajoi ata që të bëhen akoma më të zellshëm dhe të punojnë edhe më shumë me veten, në mënyrë që në të ardhmen të bëhen pjesë e UBT-së, ose edhe të studiojnë kudo tjetër që ata duan.

UBT pranon në vijimësi vizita nga shkolla të ndryshme nga e mbarë Kosova, me qëllim që nxënësit të shohin nga afër gjërat me të cilat do të përballen profesionalisht në të ardhmen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme