Nxënësit informohen për sjelljet e policëve në rrugë

Deçan | 06 Mar 2017 | 16:19 | Nga

Nxënësit e Shkollës Fillore “Rexhep Kadrijaj në Rastavicë të Deçanit, të shoqëruar edhe nga drejtori i shkollës dhe mësimdhënësi i lëndës mësimore, ishin pjesë e ligjëratave të mbajtura nga zyrtarët policorë të Stacionit të Deçanit, rreth sjelljeve policore në trafik dhe të vozitësve, sikurse edhe njohja me masat preventive për sigurinë qytetare.

Këto ligjërata praktike në magjistralen Gjakovë-Deçan, të zyrtarëve policorë me nxënësit e klasës 7, ishin në kuadër të lëndës mësimore “Edukata qytetare”, që kësaj radhe ishte zgjedhur komunikacioni, me shpresën që ligjërata të tilla do mbahen edhe në fushat tjera të sigurisë dhe edukatës.

Nxënësit pjesëmarrës të kësaj ore mësimore, vlerësojnë këtë orë praktike, duke thënë se ishte risi kjo mënyrë e mbajtjes së orës mësimore, duke kaluar nga teoria në praktikë, e aq më shumë kur ka të bëjë me sigurinë në rrugë, pasi dihet se shumë qytetarë kanë humbur jetën, nga mos kujdesi i vozitësve dhe qytetarëve.

Zyrtarët policorë, Granit Shehu, Haxhi Osaj dhe Selim Berisha, për së afërmi i kanë njoftuar nxënësit për qëndrimet policore ndaj qytetarëve gjatë kryerjes së detyrave policore në trafik, por edhe për reagimet e tyre ligjore, sipas rasteve të paraqitura.

“Kërkesën për asistim në orë të tilla mësimore, e vlerësojmë si një mënyrë e bashkëpunimit të shkollave me policinë e Kosovës”, është shprehur zyrtari i policisë Granit Sheu, duke thënë se Policia e Kosovës është çdoherë në shërbim të qytetarëve, në çfarëdo forme qoftë.

Ndërkaq, nxënësi Zekë Kukalaj, duke folur edhe në emër të kolegëve të tij, pasi ka falënderuar zyrtarët policor të Deçanit për njohuritë e dhëna, është shprehur i kënaqur me mbajtjen e orës praktike, që ishte për qëllim të vëzhgimit të sjelljes policore gjatë kryerjes së detyrave në zbatim të ligjit të komunikacionit, por edhe të sjelljes qytetare në rastet e ndalimeve nga policët e trafikut.

“Kishim rastin e mirë që të njihemi për masat që merren në parandalim të aksidenteve që po ndodhin vazhdimisht, por edhe të krijimit të afërsive të ngrohta të nxënësve me policinë e Kosovës”, ka deklaruar nxënësi Kukalaj, duke shpresuar se ligjërata të tilla do mbahen edhe në fusha tjera të sigurisë qytetare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme