Nxënësit kosovarë me performancë fizike për 40% më pak të zhvilluar sesa vendet e rajonit

Prishtinë | 12 Mar 2024 | 11:57 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit në Universitetin e Prishtinës ka kërkuar që të rritet numri i orëve të edukimit fizik nëpër shkollat e Kosovës, në të gjitha nivelet, pasi gjendja është kritike.

Dekani Musa Selimi i bëri komentet në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, i cili diskutoi sot për gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve, raporton Ekonomia Online.

Sipas një hulumtimi të bërë së fundi, del që në perfomancë fizike, nxënësit kosovarë janë për 40 për qind më pak të zhvilluar krahasuar me vendet e rajonit.

Mungesa e aktivitetit të mjaftueshëm fizik dhe përdorimi i teknologjisë, ndikon në obezitetin e fëmijëve dhe po ashtu probleme të tjera shëndetësore.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi, tha se situata e fëmijëve në këtë aspekt është kritike dhe duhet të ndërmerren masa. Aktualisht në Kosovë janë 2 orë në javë edukim fizik, derisa për krahasim, në Kroaci i kanë 5 orë në javë.

“Dy orë edukatë fizike në javë në shkolla janë të pamjaftueshme, prandaj orët në shkolla duhet të shtohen. Nevojiten rreth 60 minuta në ditë aktivitet fizik për fëmijët”.

“Arsyet pse kemi kërkuar këtë takim është nevoja që të ndryshojmë gjendjen kritike tek fëmijët tanë në edukim dhe sport. Sipas parametrave që kemi matur, kemi ardhur në përfundim që me vendet e rajonit jemi shumë larg. Në hulumtimin e fundit del se në perfomancë fizike, fëmijët tanë janë 40 për qind më pak të zhvilluar se të tjerët në rajon. Mendoj se është një situatë kritike”, theksoi Selimi.

“Kemi realizuar edhe një projekt nga Ambasada Amerikane dhe te dhënat na dërgojnë në një situatë kritike. Ne kemi ardhur që këtë hall që ka vite që e diskutojmë në mënyra të ndryshme në vend e takime të ndryshme, por kemi hasur në vesh të shurdhër”, tha ai.

Të ngjashme