Ministrja Nagavci thotë se Abetaret e përbashkëta tashmë janë shpërndarë në të gjitha shkollat

Gjakovë | 01 Sht 2022 | 10:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me një ceremoni solemne është bërë përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, me të cilën nga ky vit shkollor do të mësojnë të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë, raporton Ekonomia Online.

Abetarja unike do të përdoret nga të dyja vendet për të vegjlit në klasat e para si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.

Kjo u bë nga kryeministri Albin Kurti bashkë me ministret e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci tha se abetaret dhe fletoret e punës janë gati dhe janë shpërndarë në të gjitha shkollat.

Ajo tha se shpreson që kjo abetare të jetë baza e sukseseve për vogëlushët, duke shtuar se po punojnë për marrëveshjet të tjera në arsim.

Nagavci foli edhe për grevën në arsim, ku tha se shqetësimin e ndajmë bashkë edhe me prindërit dhe nxënësit.

“Pa rilindësit tanë, sigurisht që nuk do ishim këtu ku jemi. Edhe unë vetë kam qenë nxënëse në këtë qytet dhe jam e lumtur t’i shoh shumë mësimdhënës, të cilët i falënderoj për punën që kanë bërë. Në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive tona, në nëntorin e kaluar, bashkë më ministren e nënshkruam edhe marrëveshjen për abetaren e përbashkët”.

“Shpresoj që kjo abetare të jetë baza e sukseseve të ardhshme për vogëlushët tanë. Ta unifikojmë dhe të kemi një abetare të tillë, që e pasqyron edhe të kaluarën tonë, të tashmen dhe të ardhmen – pra krahë për krahë, bashkë.  Po punojmë maksimalisht për marrëveshje si kjo e sotmja, për sfera të tjera të arsimit”.

“Unifikimi ynë është i rëndësishëm në secilën fushë. 1 shtatori shënon ditën e fillimit të vitit të ri shkollor. Kemi shumë sfida përpara, por kemi edhe vullnetin për tu përballur me këto sfida. Për shkak të grevës së shpallur nga BSPK-ja, shumë nxënës sot  nuk janë në shkollat tona. Shqetësimin e ndajmë bashkërisht me prindërit dhe fëmijët”.

Trajnimet e mësuesve për abetaren e përbashkët nisën më 29 gusht.

Në fund të dy ministret ajo e Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë simbolike kanë bërë shpërndarjen e abetareve.

Të ngjashme