Prokuroria Themelore në Gjakovë ka thënë se po vazhdon me sekuestrimin e mjeteve që ishin përdorur nga kompani që jashtëligjshëm kishin nxjerrë zhavorr përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.
Prokuroria ka thënë se pas inspektimeve të kryera nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është konstatuar se në disa fshatra të Rahovecit ambienti po degradohet shkaku i aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit.
Janë sekuestruar një kamion transportues, tre ekskavatorë dhe një seperacion me të gjitha pajisjet përcjellëse, me të cilat është kryer nxjerrja ilegale e zhavorrit.
“Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisi’, nga neni 338 i KPRK-së.
“Prokuroria njofton se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës. Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin”, ka njoftuar Prokuroria.
Ekipe të Inspektoratit të Ministrisë të Mjedisit dhe Infrastrukturës, së bashku me Policinë e Kosovës, kishin identifikuar në terren disa makineri që po mblidhnin dhe bartnin ilegalisht zhavorr përgjatë Drinit të Bardhë. Operacioni ishte zhvilluar në disa fshatra të Gjakovës dhe të Rahovecit. Aksioni i së enjtes nuk kishte rezultuar me arrestimin e ndonjë personi, por gjatë tij janë sekuestruar makineri të cilat janë përdorur për ta kryer aktivitetin ilegal.