Ish-presidenti i ShBA-së, Barack Obama nuk ka ndonjë konsideratë për trashëgiminë politike të Donald Trumpit. Rëndësia e pasardhësit të tij është mbivlerësuar, tha 59-vjeçari në një intervistë për televizionin gjerman ZDF. Për shembull, Trump nuk arriti ta shpërbëjë, ashtu sikurse pati deklaruar, aksesin e përmirësuar në sigurimin shëndetësor të hartuar dhe të aplikuar nga demokratët. E po ashtu edhe sa i përket politikës për mbrotjen e klimës presidenti i ri Joe Biden shumë shpejt do të arrijë ta rikthejë në shinat e mëparshme, duke iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për klimën.
Konfliktet shoqërore dhe kriza financiare
Lidhur me forcën e kampit konservator të udhëhequr nga Trumpi dhe ndikimin e tij, Obama tha se Trumpi në fund të fundit nuk u rizgjodh në postin e presidentit – në dallim prej tij, i cili fitoi edhe një mandat të dytë në vitin 2012. Fitorja e zgjedhjeve nga Trumpi në vitin 2016 ishte për shkak të konflikteve të vjetra shoqërore në SHBA nga njëra anë, por edhe për shkak të krizës financiare të viteve 2008-2009, tha Obama. Përkeqësimi i gjendjes ekonomike asokohe shkaktoi paqëndrueshmëri dhe shqetësim tek njerëzit. Shumë njerëz kishin frikë se kriza mund të ketë pasoja edhe për ata personalisht.
Në situata të tilla shpesh ndodh që politika të mbështetet tek njerëzit e fortë, të mbështetet tek pushteti. Përveç kësaj, janë shtuar edhe mediat sociale të krahut të djathtë, që punojnë në kombinim me kanalet televizive si Fox News. Këto i ushqyen njerëzit me informacione “të shkëputura plotësisht nga realiteti”, kritikon Obama. “Nëse i ushqeni njerëzit me gënjeshtra, shtrembërime, teori konspirative dhe nëse politikanët përpiqen ta shfrytëzojnë atë për qëllimet e veta – atëherë me kalimin e kohës besimi shoqëror mund të prishet dhe e gjitha mund të çojë në tragjedi. Si ato që pamë këtu në Kapitol”.
Tragjedia e sumit në Kapitol
Më 6 janar, qindra mbështetës të Trumpit e sulmuan Kapitolin në kryeqytetin e SHBA-së, ku ndodhi një dhunë e paparë, ndërsa Trumpi shihet si nxitës i dhunës. Gjatë protestës pati edhe viktima.
Menjëherë pas sulmit në Kapitol, Obama foli për një “moment të pandershmërisë së madhe” dhe për një “turp për kombin tonë”. Ai bëri përgjegjës Donald Trump për këto trazira. Një president që përhap gënjeshtra pa ndonjë arsye në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të ligjshme, ka nxitur dhunën.
Asnjë krahasim me “Black Lives Matter”
Në kontekstin e sulmit në Kapitol Obama thotë, se autoritetet e rendit ishin shumë të papërgatitura krahasuar me protestat paqësore Black-Lives-Matter, kur ato reaguan “me kujdes dhe ishin më mirë të përgatitura”. Disa vëzhgues janë të mendimit se policia ka qenë shumë më e butë ndaj protestuesve kryesisht të bardhë në Kapitol.
Black Lives Matter është një lëvizje e themeluar në SHBA dhe e përhapur ndërkohë në shumë vende të botës, e cila kundërshton brutalitetin policor dhe angazhohet kundër racizmit. Kjo lëvizje është themeluar në vitin 2013 si reagim ndaj lirimit të një njeriu, që qëlloi dhe vrau afrikano-amerikanin 17-vjeçar Trayvon Martin, një vit më parë. Në vitin 2020, pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, gjatë një operacioni brutal policor në Minneapolis, lëvizja u përhap jo vetëm në SHBA, por edhe në shumë vende të tjera.