Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, u është rikthyer fushatave presidenciale, duke i adresuar kritika të ashpra pasardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë dhe duke e mbështetur fuqishëm ish-zëvendëspresidentin.
Duke folur para mbështetësve demokratë të mbledhur në Filadelfia, Obama e kritikoi Trumpin për përgjigjen e tij ndaj pandemisë, që la të vdekur mbi 220 mijë amerikanë dhe infektoi me miliona të tjerë, përfshirë vetë presidentin, transmeton KOHA.
Ai me këtë rast tha se “Trumpi nuk është president që do t’i mbrojë amerikanët, kurse nuk ka mundur të ndërmerrte as veprime bazike për ta mbrojtur veten”.
Obama, që hyri në Shtëpinë e Bardhë me mesazhin për shpresë dhe ndryshim, ka thënë se progresi nuk mund të ketë gjithmonë sukses, por kjo, sipas tij, nuk duhet të jetë arsye për të mos votuar.
Paraqitja e tij e parë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit ka ndodhur në kohën kur bashkëgaruesi i tij i dikurshëm, Joe Biden, ka thelluar ndjeshëm epërsinë në sondazhe para rivalit Trump.