Me rastin e Ditës Evropiane të Parqeve, në qytetin e Obiliqit u vë gurthemeli për ndërtimin e parkut të ri, i financuar nga KEK-u.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi tha se ky projekt është i një rëndësie të veçantë për komunitetin që jetojnë këtu, raporton Ekonomia Online.
“Sot po fillojmë me një park të ri dhe mendoj se ka ardhur koha edhe për një drejtim të ri. Dëshiroj që qytetarët e Obiliqit në të ardhmen do të kenë edhe aktivitete të tjera ku përveç një ambienti sa më të pastër ata të kenë edhe mundësi të punësimit dhe përmirësim dhe mirëqenie në jetën e tyre”, tha ai.
Gashi bëri të ditur se po këtë ditë, së bashku me KEK-un kanë organizuar edhe aktivitete tjera për pastrimin dhe largimin e deponive ilegale.
“Ne bashkërisht me KEK-un dhe drejtorinë e deponive kemi shumë aktivitete që i zhvillojmë , ne kemi larguar diku 8 deponi të egra të mbeturinave”, tha Gashi.
Drejtori i KEK –ut, Njazi Thaçi tha se ky është projekti i tretë që realizojnë në këtë komunë.
Ai tha se qëllimi i tyre është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Obiliqit.
Ky projekt kap vlerën prej 80 mijë eurosh dhe pritet të përfundojë brenda 90 ditës.