Komuna e Obiliqit, me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë ka mbajtur një manifestim në Kuvendin Komunal, ku merrnin nxënës, mësimdhënës, pjesëtarë të FSK-së e qytetarë të tjerë.
Kryetari Xhafer Gashi me këtë rast tha se për këtë ditë janë flijuar gjenerata të tëra, andaj nuk duhet të harrohet e kaluara në mënyrë që të përmbushin idealet e të gjithë atyre që kontribuuan për pavarësinë dhe lirinë e vendit.
Ai para të pranishmëve foli edhe për lëvizjen studentore, duke thënë se studentët dhe elita e intelektualëve të asaj kohe më në krye Ibrahim Rugovën bën që sot të kemi një shtet të cilin po e ndërtojmë dhe forcojmë.
“Lëvizjet e ndryshme politike edhe studentore edhe të intelektualëve në krye me Ibrahim Rugovën arritëm të shpallin Pavarësinë e Kosovës e cila është në ndërtim e sipër. Nëse më pyetni se a është bërë boll unë mendoj se duhet të bërë ende shumë por duhet të kemi të kaluarën në kujtesë në mënyrë që të përmbushim idealet e atyre që kontribuuan që ne të jetojmë në këtë liri e pavarësi”, ka thënë Gashi.
Pjesë e këtij takimi me nxënës ishte edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Adem Preniqi, i cili uroj nxënësit duke thënë se e ardhmja është tek ata. “Unë mburrem me nivelin e nxënësve dhe profesorëve që kemi”, ka thënë Preniqi.
Për të përshëndetur të pranishmit ishte edhe drejtori i gjimnazit “17 Shkurti”, Zeqir Hashani. “Gjimnazi po e dëshmon që është një shkollë me imazh të duhur detyrimisht e kemi të përmendim ndihmën nga komuna dhe drejtoria e arsimit dhe të gjitha strukturave që në këtë rrugëtim kontribuuan”.
Gjimnazi “17 Shkurti” i cili ka drejtim shoqëror dhe natyror është emëruar gjatë periudhës 2007/2008 dhe ka gjithsej 300 nxënës të cilët vijojnë mësimin.
Komuna e Obiliqit ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh për nderë të festës së Pavarësisë së Kosovës.