Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje thotë që një koalicion ndërmjet kësaj të fundit dhe LAA do ta zbehte fuqinë e Beogradit në Kosovë, prapë se prapë ligjet në fuqi ua garantojnë serbëve pozita kyçe në Qeverinë e Kosovës, shkuan apo nuk shkuan serbët në koalicion.
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi pritet ta mandatoj për kryeministër kandidatin e PAN-it, e që është Ramush Haradinaj.
Megjithatë, deri më tani, PAN nuk ka arritur të lidh koalicion me asnjë parti apo koalicion tjetër. Të paktën jo zyrtarisht.
PAN nga zgjedhjet e 11 qershorit ka fituar 39 ulëse, dhe nëse të gjithë përfaqësuesit e minoriteteve do ua besojnë votën qeverisë Haradinaj, prapë do i duheshin së paku edhe 2 deputetë tjerë, në mënyrë që ta ketë shumicën e thjeshtë.
Deri më tani, koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë Qeveri, ku pjesë e saj do të jetë edhe PDK-ja.
Megjithatë, Haradinaj së bashku me zyrtarë të tjerë nga koalicioni PAN janë shprehur disa herë se i kanë votat e mjaftueshme për krijim të Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje disa herë ka deklaruar se një qeveri më këta numra, do ta fuqizonte shumë Listën e Serbe brenda institucioneve.
Sipas tyre, nëse do të krijohej qeveria ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, atëherë fuqia e Listës Serbe nuk do të ishte e madhe, pasi që edhe pa Listën Serbe, një qeveri mes këtyre dy subjekteve do ta kishte shumicën.
Albert Krasniqi nga KDI që monitoron punën e Kuvendit ka shpjeguar për Kallxo.com se komuniteti serb duhet të përfshihet me patjetër në Qeveri.
“Përfshirja e komunitetit serb në qeveri është obligim kushtetues që duhet t`i përmbahet secili subjekt politik që formon qeverinë. Komunitetit serb duhet t`i ndahet një ministri, nëse numri i ministrive nuk është më i madh se 12. Për emërimin e ministrit nga komuniteti serb, nëse është jashtë përbërjes së deputeteve që mbajnë ulëse të garantuara nga komuniteti në fjalë, duhet të ketë miratimin formal që kërkon votat e së paku 6 nga 10 deputetet serb”, ka thënë ai.
Mirëpo nëse komuniteti serb, refuzon të marrë pjesë në koalicionin qeverisës, pozita ministrore mbetet vakante.
“Mirëpo, nëse komuniteti serb refuzon të përfshihet në bashkëqeverisje, atëherë pozita ministrore që i takon komunitetit serb mbetet vakante, dhe e njëjta mund të ushtrohet nga zëvendësministri”, tha ndër tjerash Krasniqi.
Ndërsa, Belgzim Kamber, anëtar kryesie i Lëvizjes Vetëvendosje tha për KALLXO.com se në një qeveri potenciale të Vetëvendosjes nuk do të ftohen individ nga komuniteti serb, që sipas tij janë dorë e zgjatur e Serbisë.
“Ndryshe nga PAN, Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për krijimin e një shumice parlamentare me koalicionin LAA e cila nuk do të varet nga Lista Serbe. Lëvizja Vetëvendosje do të ftojë në qeveri subjekte dhe individ nga komuniteti serb që nuk janë dora të zgjatura të Beogradit zyrtar në Kosovë”, tha Kamberi.
Megjithatë ai thotë se Vetëvendosje do të respektojë normat kushtetuese dhe ligjore për përfaqësimin e komuniteteve minoritare në institucione, edhe ekzekutive, përfshirë edhe komunitetit serb.