Një ish-shef i diplomacisë serbe, nga koha e Sllobodan Millosheviqit, Vlladisllav Jovanoviq, u është rikthyer ideve që statusin, tashmë të përfunduar, të Kosovës ta kthejë në fazën kur Beogradi e projektonte me kutet e tij, pjesë të Serbisë dhe mundësisht pa shqiptarë ose me sa më pak sish.
E përditshmja “Danas” e Beogradit publikoi një opinion të ambasadorit të dikurshëm të ish-Jugosllavisë në OKB, Vlladisllav Jovanoviqit, në lidhje me dialogun e brendshëm serb për Kosovën, duke rikujtuar statusin e Ukrainës e të Bjellorusisë anëtare të OKB-së, në kohën kur ato ishin pjesë të Bashkimit Sovjetik, pra me karrige e të drejtë vote, por të komanduara nga Moska.
Jovanoviq në fakt ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet pjesë e OKB-së sipas modelit të Bashkimit Sovjetik të Rusisë, dikur, transmeton Koha.net.
“Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia njëmend kanë qenë anëtare të Kombeve të Bashkuara, edhe pse i përkisnin shtetit të përbashkët, Bashkimit Sovjetik, por ky nuk është model për Kosovën që të bëhet anëtare e OKB-së”, citon “Danas” Jovanoviqin.
Sipas tij, zgjidhja e çështjes së Kosovës me një marrëveshje midis Beogradit e Prishtinës, me të cilën Kosova do të kishte karrigen në OKB, që nuk do të përfshinte njohjen formale të pavarësisë së saj nga ana Serbisë, është pa aplikueshme.
“Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia janë pranuar në OKB më 1944 meqë Rusia, e cila kishte sakrifikuar më së shumti në Luftën e Dytë Botërore dhe ishte vendi më i merituar për ngadhënjimin mbi nazizmin, fitoi të drejtën të ketë tri vota në këtë organizatë ndërkombëtare dhe nuk ka paralelizëm për Kosovën”, është shprehur ai.
Jovanoviq ka shtuar: “Që Kosova e Metohija të bëhet anëtare e OKB-së është e nevojshme ose që Amerika të na bëjë presion ose të gjendet një zgjidhje e drejtë për Kosovën në negociatat e Serbisë me SHBA-në. Ndonëse po zhvillohen bisedimet e Brukselit, BE-ja është vetëm partneri i vogël i Amerikës, sikundër edhe shqiptarët që nuk janë zot të fatit të vet dhe amerikanët kanë interes që të gjendet një zgjidhje për Kosovës”.
“Është e mundshme, po ashtu, që Serbisë t’i jepet njëfarë kompensimi, që do të thotë ndarja e Bosnjës e Hercegovinës, por Marrëveshja e Dejtonit aktualisht është e paprekshme, prandaj fuqitë e mëdha do të duhej së pari të merren vesh për politikë të re ndaj Ballkanit, përkatësisht për krijimin e “shteteve kombëtare”, për çka kohë më parë kishte folur Daniel Serwer. Por, duhet të kihet parasysh se përveç Marrëveshjes së Dejtonit, vazhdojnë të jenë në fuqi Aktet Përfundimtare të Helsinkit për mos cenimin e kufijve si dhe Konventa e vitit 1912, sipas të cilës Kosova e Metohija është pjesë integrale e Serbisë, prandaj mendoj se Serbia duhet të presë edhe pak dhe të mos bëjë negociata për marrëveshjen juridikisht detyruese nën presionin dhe sipas diktatit të Amerikës dhe të Perëndimit, meqë presionet e tilla nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare nuk janë të pranueshme, dhe pastaj të kërkojë koncesione nga Amerika, e cila ka më së shumti interes të zgjidhet çështja e Kosovës”, ka thënë Vlladisllav Jovanoviq, një diplomat i kohës së regjimit të Millosheviqit, transmeton Koha.net.