Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë së botës – mbase rreth 2 deri në 3 për qind e tyre – kanë zhvilluar antitrupa që tregojnë se janë infektuar dhe janë imunë ndaj sëmundjes respiratore COVID-19, të shkaktuar nga koronavirusi i ri.
Këto të dhëna e ulin shpresën se imuniteti i turmës do ta bëjë më të thjeshtë dhe të shpejtë daljen nga izolimi i imponuar shkaku i pandemisë.
“Lehtësimi i masave nuk nënkupton fundin e epidemisë”, ka thënë shefi i OBSH-së, mjeku Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp në Gjenevë, të mbajtur të hënën. “Izolimet thjesht pakësojnë intensitetin e epidemisë”, ka shtuar ai.
Por testet serologjike, të cilat zbulojnë se sa për qind e popullsisë është infektuar dhe ka zhvilluar antitrupa – që do të thotë se janë imunë – sugjerojnë se ky numër është i vogël.
“Të dhënat e deritanishme thonë se një përqindje e vogël e popullsisë së infektuar ka antitrupa”, ka thënë Tedros. “Jo më shumë se 2-3 për qind”.
Mjekia Maria Van Kerkhove, eksperte e sëmundjeve infektive, ka thënë se edhe nëse, bazuar në analiza, një person ka antitrupa kundër COVID-19, nuk do të thotë se ai është edhe imun.
“Shumë vende sugjerojnë përdorimin e testeve serologjike për të matur nivelin e imunitetit”, ka thënë ajo. “Por hë për hë, nuk kemi prova se një test serologjik vërteton imunitetin e dikujt apo siguron se është i mbrojtur nga një infektim i dytë”.