Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë një debat publik në lidhje me demarkacionin dhe t’u sqarojë qytetarëve me fakte se si u demarkua kufiri me Malin e Zi.
Këto komente O’Connell i bëri pas takimit me ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se nuk duhet folur në ajër por duhet shikuar të gjitha faktet.
“Do të lusja qytetarët e Kosovës që të bëjnë vetëm një gjë, të konsiderojnë debatin në bazë të fakteve, e kemi parë se çka po ndodhë në Evropë. Nëse debatet zhvillohen për shkak të thashethemeve ose të gënjeshtrave, kjo është një çështje bilaterale në mes Kosovës dhe Malit të Zi. Gjithashtu ka qenë një kusht për liberalizimin e vizave, por në thelb është çështje bilaterale. Do të lusë edhe qeverinë që të bëjë një debat publik, që t’i furnizojnë qytetarët me fakte se çka ka ndodhur. Ju lutem që para se të vazhdohet në këtë drejtim të mendohet se çfarë ka ndodhur”, theksoi ai.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj tha se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, është në interes të shtetit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Dua të jem shumë i qartë, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, Ambasadori britanik dhe unë e dimë çka nënkupton kjo. Çdo demaskim i kufirit më Malin e Zi do ta shndërronte atë në kufi ndërkombëtarë, besoj që kush ka pak njohuri për këtë temë ja peshën se sa vlen që të përmbyllet një proces i tillë”
“Ne si qeveri jemi në një proces të konsultave të brendshme, është vendim i kryeministrit dhe Qeverisë. Kryeministri e harmonizon agjendën me Kuvendin dhe kryetarin e Kuvendit se kur kjo temë shkon në qeverinë e Kosovës dhe kur do të miratohet në Kuvend”, u shpreh ai.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për njohjet e reja të shtetit të Kosovës, duke premtuar njohje të reja, mirëpo nuk ka treguar se kur mund të ndodhin, por u shpreh se “do të lëvizë çdo gurë në mënyrë që të njihet shteti i Kosovës”.
“Kjo përpjekje e imja e ka një logjikë mbrapa. Mendoj që Kosova do të duhej të njihet në të ardhmen përafërsisht nga 130 shtete. Nuk dua të them që këtë vit do t’i marrim. Se kur do ta njeh një vend Kosovën unë nuk kam folur as në të kaluarën, as tash me që janë qëndrime të shteteve sovrane, por nuk do të lë gurë pa lëvizur që ta njohin shtetin e Kosovës, por edhe ta ushtrojmë sovranitetin e Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.