Oda Amerikane kërkon diskutim më të gjerë parlamentar mbi ligjet me implikime kritike

Prishtinë | 16 Kor 2018 | 12:09 | Nga
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 mbi Automjetet, respektivisht ndryshimin e dispozitave me të cilat lejohet importimi i automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, pavarësisht thirrjeve nga Oda Ekonomike Amerikane dhe shoqatat e tjera të biznesit kundër kësaj iniciative.
Oda Amerikane beson se ligji është në kundërshtim me përpjekjet e promovuara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të ndërmarra brenda Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimeve të gazrave të liruara nga automjetet e lehta dhe të rënda.
Oda Amerikane, poashtu beson se iniciativat dhe ndryshimet e këtyre përmasave që kanë implikime të gjera në mjedis, siguri në trafik dhe shëndet, duhen diskutuar më gjerësisht, ndërsa anëtarët e Kuvendit duhen marrë parasysh rëndësinë e një qasje më gjithëpërfshirëse vendimmarrëse.
Oda Amerikane rekomandon shtyrjen e ndryshimit të ligjit të sipërcekur, deri në publikimin e të gjeturave të vlerësimit të shkaktarëve të ndotjes në vend, proces ky tashmë i iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me ekspertë japonezë.
Në përmbyllje, Oda Ekonomike Amerikane, edhe një herë përsërit thirrjen e saj ndaj politikbërësve që të reflektojnë dhe kuptojnë rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe shoqërinë civile, si mënyra e vetme që siguron se ligjet dhe aktet e tjera ligjore janë në shërbim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

Të ngjashme