Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) ka mbajtur konferencën e fundvitit për medie.
Me këtë rast u prezantua dhe sondazhi “Kujdesi për qasjen e mjekut ndaj pacientit”
Aty kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu tha se ekspertë të ndryshëm nga oda të shumta mjekësore të Evropës janë habitur me faktin se si 80% e lëndëve me gabime profesionale janë cilësuar si vepra penale, raporton Ekonomia Online.
Sipas Sejdiut, mjekët po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po nuk po mbrohen.
“Ne kemi filluar dy iniciativa ligjore për obligimet dhe të drejtat e mjekut, kjo ka gjet një mbështetje të mirë. Deri më tani mjeku është akuzuar se ka keqpërdorë detyrën zyrtarë por asnjëherë nuk ka marrë mbrojtje. Të gjithë ekspertët e jashtëm nga oda të ndryshme kanë qenë shumë të habitur kur kanë pa se mbi 80% të lëndëve për gabime profesionale janë cilësuar si penale”, tha Sejdiu.
Sejdiu tha se tani më sistemi i shëndetësisë po bëhet edhe me një databazë interaktive.
“Për herë të parë po ndërtojmë një databazë interaktive që ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë. Po punojmë edhe rreth krijimit të arkivit digjital, ku secili do ta ketë qasjen në dokumente zyrtare”, pohoi Sejdiu.
Ndërsa sa i përket grevës së përgjithshme të sistemit të shëndetësisë, Sejdiu tha se Oda e Mjekëve, i mbështetë grevistët drejtë kërkesave të tyre.
“Oda e mjekëve i mbështetë sindikalistët për grevën e tyre. S’di kërkesë e tyre qëndron është denigruese rroga e një kirurgu e barabartë me një shofer. Asnjë profesion tjetër nuk është më i shenjtë se i mjekut”, tha ai.
Në kuadër të sondazhit “Kujdesi për qasjen e mjekut ndaj pacientit”, Dorina Gashi, tha se ai është zhvilluar me 1500 pacientë të cilët kanë japë mendimet e tyre rreth shërbimeve mjekësore.
“Ne gjatë muajit nëntor kemi zhvillu sondazhin qasja dhe kujdesin ndaj pacientit. Kemi dashtë të bëjmë një matje sa i përket identifikimit të shkaqeve të pakënaqësisë. Këtë sondazh ne e kemi zhvillu me 1500 pacientë”, tha Gashi.
Njëra prej ankesave kryesore për pacientët po del të jetë mungesa e mjeteve të punës në institucionet shëndetësore.
“Ankesa kryesore ka qenë mungesa e mjeteve të punës në institucionet shëndetësore si dhe mos respektimi i orarit të punës sa i përket stafit. Më shumë se gjysma e pacientëve kanë thënë se duhet të ketë më shumë mjekë dhe infermierë në Kosovë. Një ndër objektivat e këtij sondazhi ka qenë të shohim sa e njohin pacientët e funksionin e odës së mjekëve”, u shpreh Gashi.
Madje aty u tha se qytetarët e Kosovës sipas këtij sondazhi nuk janë mirë të njoftuar për funksionin e Odës së mjekëve të Kosovës.