Nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK) sot ka filluar Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë, partner në organizimin e së cilës është edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Gjatë kësaj jave, në 180 shtete të botës do të organizohen aktivitete të ndryshme me qëllim të promovimit të ndërmarrësisë dhe inkurajimit të aktiviteteve ndërmarrëse.
Për të shënuar fillimin e kësaj jave, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një video mesazhi të dedikuar për Odën Amerikane, u është drejtuar ndërmarrësve duke theksuar se ndjehet e gëzuar që një rini që ende ballafaqohet me kufizime të shumëta, me vullnet dhe përkushtim po then kufinjtë e së mundurës, dhe me shpirtin e saj krijues po trajton sfida lokale dhe globale. Ajo gjithashtu theksoi rolin e ndërmarrësisë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
“Ndërmarrësia krijon vende të reja të punës, stimulon konkurrencën, nxit inovacionin dhe rrit produktivitetin ekonomik dhe shoqëror. Institucionet duhet të ofrojnë përkrahje për të nxitur ndërmarrësinë dhe zhvilluar tutje sektorin privat, si gjeneruesin kryesor të vendeve të punës në Kosovë” u shpreh Presidentja Osmani.
Ndërsa, fillimin e aktiviteteve të saj për këtë javë, Oda Amerikane e shënoi me një forum virtual rreth ekosistemit të bizneseve në vend, gjatë së cilit panelistët ofruan një rishikim të përgjithshëm mbi mënyrat se si një ekosistem i tillë duhet t’i shtojë vlerë zhvillimit ekonomik të vendit, derisa diskutuan edhe rolin e hisedarëve përkatës të cilët mund të kontribuojnë në këtë qëllim.
Zëvendës Ministri i Financave Agim Krasniqi, theksoi rëndësinë e shtuar të sektorit privat në ekonominë e vendit, derisa foli edhe për veprimet e ndërmarra nga Qeveria për të siguruar mos-rënien e shpenzimeve publike gjatë kësaj kohe të krizës, të cilat kanë efekt pozitiv në mbijetesën e sektorit privat. Tutje, ai përmendi edhe nevojën për miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, meqë i njëjti sipas tij adreson nevojat më emergjente të sektori privat dhe mundëson qasje më të lehtë në financa për biznese.
Valdrin Lluka, shef i rritjes në kompaninë Solaborate dhe ish-Ministër i Zhvillimit Ekonomik, gjatë këtij forumi cilësoi si sfidë mungesën e shkathtësive të avancuara të fuqisë punëtore, që rrjedhimisht krijon mos-plotësimin e vendeve të punës të ofruara nga kompanitë. Tutje, Lluka foli edhe për investimet publike, ndërsa shtoi se të njëjtat janë kyçe për krijimin e ekosistemeve të shëndosha të bizneseve, që padyshim gjenerojnë vende të punës si dhe ndihmojnë në tërheqjen e investimeve. Sipas tij, një sfidë tjetër në zhvillimin e bizneseve është edhe ekonomia jo-formale e cila krijon konkurrencë të padrejtë në treg.
Remzi Uka, kryeshef ekzekutiv i kompanisë AFAM, njëherit edhe moderator i këtij forumi, duke iu referuar raporteve nga Banka Botërore theksoi se Kosova renditet në pozita relativisht të mira sa i përket fushës së të bërit biznes, të cilat bazohen në dhjetë faktor mjaft gjithëpërfshirëse sidomos në aspektin e dhënies së kredive që tregon një sektor të fuqishëm bankar.