Oda Zejtare e Dortmundit dhe OEK-u ndihmojnë pjesëtarët e FSK-së

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 15:57 | Nga

Janë certifikuar dy pjesëtarë të FSK-së, të cilët për 17 muaj ndoqën një trajnim profesional në fushën e automekanikës.  Trajnim u zhvillua nga Oda Zejtare e Dortmundit (OZD) e  mbështetur nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim e Gjermanisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët kosovarë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shkolla Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë.

Trajnimi ka filluar në nëntor të vitit 2015 dhe ka përfunduar më 31 mars të vitit 2017, përcjell Ekonomia Online.

Ky trajnim profesional me elemente të praktikës duale, shkollë-ndërmarrje, është zhvilluar në fushën e automekanikes për mirëmbajtje të mjeteve të motorizuara dhe sipas standardeve gjermane të arsimit profesional.

Në ceremoninë përmbyllëse të këtij trajnimi  morën pjesë përfaqësues të OZD-së, OEK-ut, FSK-së, KFOR-it dhe përfaqësues të shkollës.

Provimi praktik dhe teorik është mbajtur nën mbikëqyrjen e ekspertëve nga OZD-ja, përfaqësuesit e KFOR-it gjerman dhe mësimdhënësit e   automekanikes nga shkolla “Shtjefën Gjeçovi”.

Me këtë rast,  z. Wilhelm Hicking, drejtori gjeneral i Odës Zejtare të Dortmundit tha se; ne besojmë shumë që bashkëpunimi me FSK-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen në fusha me interes të përbashkët, bazuar  edhe në arritjen e rezultateve të shkëlqyeshme të dy pjesëtarëve të FSK-së, Lavdim Bajraktarit dhe Agron Abdullahut.

Në këtë drejtim kontribut të madh ka dhënë edhe Shkolla Profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, e cila nga Oda Zejtare e Dortmundit është pajisur me aparaturën  dhe sistemin më modern në rajon.

Pjesëtarëve të FSK-së, të cilët morë pjesë në këtë trajnim, iu ndanë certifikata nga Wilhelm Hicking, drejtori gjeneral i OZD-së,  Ferat Idrizi, drejtor i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Aftësim për të Rritur në Kosovë dhe Parim Bajrami, sekretar i OEK-së.

Gjithashtu, një kontribut të veçantë në trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së kanë dhënë edhe ndërmarrjet: “Auto Kaçandolli LLC”në Prishtinë, “AHP LLC” në Prizren dhe “Baki Automobile -Volkswagen”në Llapnasellë.

Bashkëpunimi në mes OZD-së, OEK-së dhe FSK-së, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me qëllim të realizimit të projekteve në fushat më interes të përbashkët dhe posaçërisht në të mirë të pjesëtarëve të FSK-së, tha Franc Musolli, përfaqësues i OZD-së dhe koordinator i projekteve të Partneritetit për Arsim Profesional dhe Akademi të Ndërmarrësisë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme