Nën organizim të Odave Amerikane në Shqipëri dhe në Kosovë, për dy ditë me radhë në Tiranë janë mbajtur takime ndërmjet bizneseve të Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim të vendosjes së kontakteve dhe rritjes së bashkëunimit ekonomik dhe tregtar.
Në hapje të aktivitetit B2B kanë marrë pjesë edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës Bajram Hasani dhe Ministrja e Mbrojtjes së Sipërmarrjes së Republikës së Shoqërisë Sonila Qato.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani lavdëroi Odat Amerikane në Shqipëri dhe në Kosovë për iniciativën e tyre, duke i vlerësuar si të nevojshme takimet ndërmjet bizneseve, në një kohë kur të dyja qeveritë angazhohen vazhdimisht për ngritjen e bashkëpunimit dhe eliminimin e barrierave të cilat janë paraqitur kohë pas kohe.
Ai ftoi kompanitë nga Shqipëria që të investojnë në Kosovë, duke theksuar edhe rangimin pozitiv që vendi ka pasur në raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se megjithë takimet e shpeshta të dy qeverive, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret në rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Ai tha se takimet biznes me biznes ndërmjet bizneseve në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit B2B kanë marrë pjesë rreth 80 biznese nga Shqipëria dhe Kosova nga sektorë të ndryshëm si prodhimi, shërbimet dhe tregtia, derisa janë vënë edhe hapat e parë të bashkëpunimit ndërmjet kompanive të ndryshme, të cilat pritet të konkretizohen me marrëveshje afarizmi.