Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka pritur në takim përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe përfaqësuesit e ELKOS-it pas dënimit prej 1.3 milion euro që ka shqiptuar AKP-ja ndaj kësaj kompanie, me arsyen që kjo e fundit nuk ka përmbushur obligimet e kontratës.
I pari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se duhet të gjendet një epilog në mes të AKP-së dhe ELKOS-it, raporton Ekonomia Online.
“Jemi në takim pak më specifik në Odën Ekonomike, në një rol që duhet ta kemi vazhdimisht që t’i adresojmë kërkesat e bizneseve dhe të njëjtën kohë të gjejmë modalitet në kornizën ligjore”.
“Oda Ekonomike po mundohet që tash e tutje ta ketë një qasje të strukturuar, që ta ketë një analizë që këto çështje të mos mbesin gjurmë, por të zgjidhen në formën më të mirë. Duhet të gjendet epilog mes të dyja palëve, si platformë e diskutimit jemi sot, si platformë e dëgjimit të argumenteve”.
Ai më tutje sqaroi arsyen e këtij takimi, raporton EO.
“Ka pasë një vendim kontraktual, pretendim i AKP-së që ta ruajë veprimtarinë e caktuar, kompania ELKOS në bazë të kushteve të veçanta dhe në bazë të kësaj është kërkuar qe të monitorohet kjo. Konsiderohet që në bazë të monitorimit edhe gjatë raporteve, kompania në fjalë nuk i ka plotësuar ato çka është kontraktu”.
Fatos Islami, menaxher gjeneral nga ELKOS-i, tha se kushtet e kontratës janë përmbushur, ndërkaq vendimi i AKP-së është tendencioz.
“Tendenca e AKP-së është të bëhet imponimi i kontratës. Dy kushte kanë qenë ruajtja e aktivitetit të prodhimit të metaleve e të cilat në raportet e tyre asnjëherë nuk është thënë që ne kemi filluar me prodhu ushqime, përveç asaj që kemi prodhu metale dhe në asnjë moment nuk është ndryshu aktiviteti”.
“Kushtet kontraktuale janë përmbushur në tërësi, të gjitha kushtet që kanë dalë nga kontrata mund të përmbushen”.
Skender Hasani, kryesues i njësisë për monitorim, kontroll dhe administrim direkt në AKP, tha se ELKOS-i nuk ka përmbushur kushtet e kontratës.
“Ne si përfaqësues të AKP-së, konsiderojmë që ELKOS-i nuk i ka përmbushur kushtet e kontratave”.