OEK: Ndryshimet në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare bien ndesh me Kushtetutën

Prishtinë | 16 Mar 2018 | 12:23 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar dhe ndaj miratimit të Ligjit mbi Shoqëritë Tregtare të miratuar dje në Kuvendin e Kosovës.

Sipas OEK, ndonëse beson se prezenca më e lartë e grave në pozitat udhëheqëse do të ndikonte në rritjen e aftësisë së konkurrencës të ndërmarrjeve, kjo gjë duhet të aarihet përmes presionit konkurrues e jo përmes rregullave të imponuara.

OEK ka paralajmëruar edhe mundësinë e dërgimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

Më poshtë gjeni të plotë reagimin e OEK.

Në kohën kur komuniteti i biznesit është në angazhim të vazhdueshëm, që përmes dialogut privat të avansojë agjendën e reformave ekonomike, në Parlamentin e Republikës të Kosovës, pa ndonjë argument të fuqishëm dhe pa asnjë konsultë me përfaqësuesit legjitim të komunitetit të biznesit, përkatësisht Odën Ekonomike të Kosovës, miratohen ndryshime në Ligjin mbi Shoqëritë Tregtare, ndryshime të cilat bien ndesh me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës të Kosovës. Ky nen përcakton qartë që ekonomia e tregut me konkurrencën e lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Përpjekjet që me ligje dhe rregullore të imponohen format dhe modelet e menaxhimit të kompanive të sektorit privat, janë ndërhyrje arbitrare në treg, në konkurrencën e lirë dhe në të drejtën e kompanive për të zgjedhur resurset me të cilat konkurrojnë në treg. Oda Ekonomike e Kosovës është përkrahëse e vazhdueshme e avancimit të rolit të femrës në vendimmarrje dhe për shumë vite ka shërben si model në këtë aspekt, me balancën gjinore në stafin profesional dhe me një numër të lartë të femrave në pozita udhëheqëse, përfshirë edhe nivelin me të lartë menaxherial dhe Këshillin Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjithashtu Oda Ekonomike e Kosovës, beson fuqishëm që edhe në sektorin privat, prezenca më e lartë e femrave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse do të ndikojë në rritjen e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve (kjo bazohet edhe në shumë punime shkencore që e kanë trajtuar këtë aspekt), por kjo duhet të arrihet nën presionin konkurrues, që i shtyen kompanitë për ndryshim të modelit udhëheqës, e jo përmes rregullave të imponuara, të cilat tradicionalisht kanë dëshmuar që krijojnë kundërefekt.

Sot dhe dje kemi pranuar një numër të madh të ankesave nga bizneset anëtare, për mënyrën dhe përmbajtjen e ndryshimeve në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, prandaj brenda afatit, së bashku me ekspertë të ndryshëm do të analizojmë mundësinë që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Republikës të Kosovës, për shqyrtim të kushtetueshmërisë së këtij ligji, në mënyrë që të mbrojmë të drejtat themelore të sektorit privat dhe të ruhen parimet themelore të ekonomisë së lirë të tregut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme