OEK: Presionet ndaj “Ekohigjienës”, frikësojnë investitorët e huaj

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 12:07 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me shqetësim është duke i përcjell ngjarjet e fundit në kompaninë “Ekohigjiena” në Gjilan dhe vlerëson se ato mund t’i sjellin dëme të pariparueshme investimeve të huaja direkte në vendin tonë.

“Për Odën janë të pa pranueshme sjelljet e disa nga anëtarët e ekipit të aksionarit në “Ekohigjiena” në Gjilan dhe presionet të cilat janë duke u bërë ndaj investitorit të huaj, deri te sulmet fizike, i cili ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e kësaj kompanie”, ka thënë kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Komuna e Gjilanit dhe institucionet relevante të vendit duhet urgjentisht të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur investitorit e huaj dhe drejtorin aktual të kompanisë nga sulmet fizike kundër tyre, të cilat para se gjithash i sjellin dëme komunës së Gjilanit por edhe imazhit të Kosovës, konsiderojnë në OEK.

Oda si asociacioni më i madh i komunitetit të biznesit në Kosovë vlerëson se rastet e tilla kanë ndikimi direkt në vjeljen e investimeve të huaja dhe paraqesin pengesë të madhe dhe janë rast i shëmtuar dhe i papranueshëm ndaj atyre që kanë vendosur të investojnë në vendin tonë.

“Kjo është edhe më e rëndë kur kihet parasysh kontributi i madhe dhe i çmueshëm i  Austrisë në të gjitha fazat e zhvillimit të Kosovës si para luftës së fundit ashtu edhe pas saj”.

“Austria ishte dhe ka mbetur vendi i cili i pari i ka njohur diplomat shkollore të Kosovës para lufte, ka pranuar edhe sot pranon student së studimet themelore dhe postuniversitare, ka përkrahur pa rezervë zhvillimin e Universitetit të Prishtinës, e ka njohur ndër shtetet e para pavarësinë e Kosovës, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e shtetësisë së vendit tonë dhe ka krijuar raporte partneriteti me ekonominë dhe komunitetin e biznesit në Kosovë”, theksojnë drejtuesit e OEK-ut.

Oda vlerëson se sjelljet e tilla dashur a pa dashur paraqesin tendencë për prishjen e raporteve të shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Austrisë për interesa të ngushta të individëve apo grupeve të caktuara në Gjilan dhe kudo ku ka sjellje të tilla ndaj investitorëve të huaj.

Oda kërkon nga institucionet e vendit, si apo komunale ashtu edhe ato qendrore që të merren seriozisht me këto çështje, të sigurojnë respektimin e ligjit dhe ligjshmërisë dhe që të ndërmarrin masa ligjore ndaj atyre që sillen në këtë mënyrë dhe i shkaktojnë dëme të mëdha Republikës së Kosovës.

Të ngjashme