Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) ka hapur “Garën e Kuzhinierëve”, e cila synon promovimin e profesionit të kuzhinierit, por edhe të ushqimeve kosovare, e përmes tyre edhe
promovimin e vendit.
Gara e Kuzhinierëve është gara e parë e këtij lloji në Kosovë, në të cilën për 4 ditë (nga sot deri më 23 janar) shkathtësitë e tyre kulinarike do t’i shfaqin më shumë se 50 garues.
Ata do të vlerësohen nga juria profesionale ndërkombëtare e përbërë nga kuzhinierë që gëzojnë titullin “Michelin Star”.
Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva. Ai tha se si Odë janë të shtrirë në shtate regjione të Kosovës.
“Kur kemi filluar në OHTK, nuk e kam ditur e nuk e kam menduar që është kaq vështirë. Por, ia kemi arritur që në shtatë regjione të kemi të kemi të shtrirë Odën… Pa bashkëpunimin e Odës e të njerëzve që janë angazhuar të gjithë nuk kishim mundur të vijmë deri këtu”, tha ai.
E kryetari i Jurisë së Garës së Kuzhinierëve, Faruk Neziri, e konsideroi privilegj që është në krye të jurisë.
“Falënderoj Kosovën që nëpërmjet Odës dhe të gjithë personave si sponsor pa interes dhe prapavija”, tha ai.
“Privilegj e kam unë të jem këtu bashkë me ju. Privilegj e kam që bashkë me jurinë, kolegët e mi, ata që janë serioz e me seriozitet e keni marrë përsipër një punë që kërkon përgjegjësi të madhe”, shtoi ai.
Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi, tha se me kënaqësi i mirëpret ftesat nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit.
“Është kënaqësi e madhe për mua të jem jo pjesë, tash për tash të këtij eventi. Me gjithë dëshirë vij në evente të Odës së Hotelierëve”, tha ajo.
Gara do të mbahet nga sot deri më 23 janar 2023. Ndërsa më 24 janar do të mbahet gala darka si dhe do të bëhet ndarja zyrtare e çmimeve, mirënjohjeve dhe certifikatave.