OKB-ja fton ekonomitë e mëdha të angazhohen më shumë për klimën

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, gjatë një samiti që po mbahet në Spanjë për ndryshimet klimatike, u bëri thirrje ekonomive të mëdha botërore, të bëjnë angazhime më serioze për të ulur emetimet e gazrave serë.

Mijëra përfaqësues nga të gjitha vendet e botës po diskutojnë për masat që duhet ndërmarrë për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit për klimën, e cila parasheh uljen e emetimit të grazrave serë dhe një sërë masash tjera.

“Ne kemi nevojë që emituesit e mëdhenj të kuptojnë se roli i tyre është thelbësor, sepse nëse emituesit e mëdhenj dështojnë, gjithçka do të dështojë”, tha Guterres për Reuters.

Vende të mëdha ndotëse si Kina, India dhe Shtetet e Bashkuara nuk pritet të bëjnë zotime të reja në samit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga pakti.

Sidoqoftë, Guterres shpreson se bisedimet do të përfundojnë të premten, me një sinjal të fortë, se qeveritë janë të gatshme të paraqesin plane më ambicioze të klimës në vitin 2020, që shihet si një vit vendimtar për marrëveshjen e Parisit.

Gjatë 10 viteve, katastrofat e nxitura nga ngrohja globale si ciklonet, përmbytjet dhe zjarret, detyruan më shumë se 20 milionë njerëz në vit të largohen nga shtëpitë e tyre, thuhet në të dhënat e organizatës bamirëse britanike OXFAM.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme