OKB-ja miraton hetimet për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit

Prishtinë | 28 Maj 2021 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka votuar për fillimin e hetimeve rreth dhunës në konfliktin 11-ditor mes Izraelit dhe Hamasit, ndonëse ky veprim nuk u përkrah nga Shtetet e Bashkuara, të cilat në këtë organ janë vetëm në cilësinë e vëzhgueses.

Rezoluta e propozuar nga një grup i shteteve islamike mori votat e 25 shteteve u përkrah nga 24 shtete anëtare të Këshillit, ndërsa nëntë të tjera votuan kundër dokumentit, shkruan BBC.

Së paku 242 persona u vranë në Gaza dhe 13 në Izrael gjatë konfliktit që zgjati 11 ditë e që përfundoi të premten e kaluar me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Në tekstin e rezolutës, që u soll nga Organizata për Bashkëpunim Islamik dhe nga delegacioni palestinez, bëhet thirrje për të themeluar një komision të përhershëm hetimor, i cili do t’i raportonte shkeljet e të drejtave të njeriut në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Gaza.

Shefja e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB, Michele Bachelet, tha se është e shqetësuar për numrin e lartë të viktimave në Gaza dhe paralajmëroi se sulmet e Izraelit mund të përbëjnë krime lufte.

Nëntë shtete anëtare të këtij këshilli, përfshirë disa vende perëndimore, votuan kundër rezolutës, ndërsa 14 të tjera abstenuan. Kina dhe Rusia ishin në mesin e vendeve që e përkrahën dokumentin.

Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk janë anëtare në këtë këshill por e kanë statusin e shtetit vëzhgues, nuk morën fare pjesë në debat. Megjithatë, misioni i ShBA-së në Kombet e Bashkuara në Gjenevë lëshoi një deklaratë pas votimit të rezolutës, duke thënë se i vjen thellësisht keq për këtë votim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme