Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka thënë se nga Venezuela janë larguar më shumë se katër milionë njerëz dhe këtë dukuri e ka quajtur eksod tronditës. Sipas kësaj agjencie, vetëm nga nëntori i kaluar, nga Venezuela kanë ikur rreth një milion njerëz.
Të premten, agjencia UNHCR njoftoi se numri i imigrantëve dhe refugjatëve në vitin 2015 ishte vetëm rreth 700 mijë, ndërsa kjo shifër është rritur në masë të jashtëzakonshme pas krizës së rëndë ekonomike dhe situatës së tensionuar politike, ku presidenti aktual, Nicolas Maduro, po lufton për pushtet me liderin e opozitës, Juan Guaido.
Rreth gjysma e personave të larguar kanë kërkuar strehim në dy shtete tjera të Amerikës Jugore, në Kolumbi dhe Peru. Kolumbia i ka pranuar 1.3 milionë banorë të Venezuelës, ndërsa Peruja i ka pranuar 768 mijë. Shumë të tjerë janë vendosur në Kili, Ekuador, Brazil dhe Argjentinë.
Kjo agjenci gjithashtu njoftoi se një pjesë e konsiderueshme e venezuelasve të zhvendosur janë nisur drejt vendeve të Amerikës Qendrore dhe Meksikës. Përpos tyre, shumë njerëz kanë kërkuar strehim edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një gazete amerikane, 30 mijë banorë të Venezuelës kanë aplikuar për azil në ShBA gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër bën që Venezuela t’ia zë vendin e parë Kinës për numrin më të madh të banorëve që kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara.
Eduardo Stein, përfaqësues special për refugjatët dhe imigrantët e Venezuelës në UNHCR, tha se rritja alarmuese e numrit të tyre vë në pah nevojën urgjente për përkrahje ndaj vendeve që po përballen me eksodin historik të këtij shteti. Ai tha: “Shtetet e Amerikës Latine po e kryejnë pjesën e tyre për t’iu përgjigjur kësaj krize, por nuk mund të presim që ato të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë pa ndihma ndërkombëtare”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.