Shqipëria rrezikon që të rrudhet në pak më shumë se 1 milionë banorë deri në vitin 2100, tregon një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më konkretisht nga Departamenti i Popullsisë, duke iu referuar ritmeve të tanishme të rënies së lindshmërisë, emigracionit dhe lëvizjes së qytetarëve.
Sipas projeksioneve për popullsinë globale deri në fund të shekullit të 21, për Shqipërinë, ky departament del në një projeksion me tre skenarë të mundshëm.
Varianti optimist është ai që parashikon një tkurrje me vetëm 100 mijë banorë në krahasim me popullsinë aktuale, pra Shqipëria e vitit 2100 do të banohej nga 2.8 milionë banorë. Që të realizohet ky skenar kërkohet ndalja e fenomenit të emigracionit.
Skenari i dytë, që është më i keq është ai i tkurrjes së popullsisë me 1.2 milion banorë, ndërsa skenari katastrofik është i fundit dhe parashikon rënien e popullsisë nën 900 mijë banorë.
Raporti bën një krahasim të ndryshimeve demografike të ndodhura në popullsinë totale të botës dhe vendeve të veçanta nga viti 1950 e deri më tani, si dhe projeksionet për 80 vitet e ardhshme.
Sipas tyre, nga viti 1950 deri në censusin e fundit të zhvilluar në vend, pra deri në vitin 2011, popullsia e Shqipërisë u rrit me 164.69 për qind, ndërsa në projeksionet e mëhershme, tkurrja deri në vitin 2100 parashikohej në 42.06 për qind.