Presidentja Vjosa Osmani, në konferencë për medie me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, tha se “Ballkani i Hapur” ka shkelur parimin themelor të iniciativave rajonale, që është parimi i gjithëpërfshirjes, raporton Ekonomia Online.
Osmani shtoi se Serbia synon të ketë rolin kryesor, nuk ka qëllime të mira për rajonin, duke pohuar se për Kosovën, kjo iniciativë është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe.
“Për ne, Ballkani i Hapur është një hapësirë për eskpasncion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment, Serbia që po tenton ta luaj rolin kryesor në këtë, s’ka qëllime të mira për rajonin tonë”.
“Do të ishte ndryshe sikur Serbia të ishte shtet që ka paqe, stabilitet si synim dhe sikur ta kishte njohur Kosovën, mirëpo synon që Kosova të hyj në iniciativa si provincë e saj, gjë që nuk është sepse realiteti është krejt ndryshe sepse jemi shtet i pavarur, një iniciativë e tillë nuk i shërben vendit tonë e as rajonit”.
“Ne i kemi disa shqetësime, e para është se kjo iniciativë ka shkelur parimin themelor të iniciativave rajonale, që është parimi i gjithëpërfshirjes sepse kur është iniciuar kanë qenë vetëm me dy shtete në fillim”.
“E dyta, është shkelur parimi i trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve. Dhe, e treta, kemi shqetësime se do të shndërrohet në një paradhomë pritjeje dhe do t’i jepje arsyetim skeptikëve brenda BE-së që të në lënë të merremi ne me njëri-tjetrin për kohë të gjatë, në vend se të qartësohet perspektiva jonë evropiane”, është shprehur Osmani.
Kurse presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha se në fillim e ka mirëpritur këtë iniciativë edhe si mënyrë për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por tash, sipas tij, ka shumë kundërshtime.
“Më është dukur se është shumë e sinqertë, sot me bisedë me kryetaren e kom pa që ka shumë kundërshtime. E kam pa mënyrë elegante për zgjidhjen e problemeve, nëse shtetet brenda Open Ballkanit do të bashkëpunimin, këtu do të vinte deri te zgjidhja e disa problemeve”.
“Nuk dua të jem naiv këto janë shtet të pavarura dhe vendosin vet, por si mik i të gjitha shteteve, kjo nuk është alternativë për kyçje në BE, por mundëson që disa problem të zgjidhjen më lehtë”.