Operacioni antiterror Shqipëri-Kosovë-Maqedoni nuk ka përfunduar ende.
Policia e shtetit në Shqipëri bëri me dije se forcat e antiterrorit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim edhe me dy vendet fqinje, Kosova e Maqedonia, po kërkojnë bashkëpunëtorë të tjerë të katër personave që u arrestuan në Shkodër, shkruan sot Koha Ditore.
Arrestimet në Shkodër vijnë vetëm pak ditë para zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael, në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për eliminatoret e botërorit 2018.
Prej ditësh jo vetëm Policia e Shtetit në Shqipëri, por edhe shërbimi sekret i këtij vendi dhe forcat antiterror kanë marrë masa për të shmangur çdo lloj incidenti gjatë kësaj ndeshjeje. Megjithatë, zyrtarisht nuk ka njoftime që lidhin aksionin antiterror me praninë e Kombëtares së futbollit të Izraelit në Shkodër.
Ndërkohë burime të Policisë në Shqipëri theksojnë së Ergys Faslia, me profesion berber, ishte kreu i kësaj organizate, e cila akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah ISIS-it.