Arrestohet në Tiranë 43-vjeçarja e shpallur në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shtetit bën me dije se në bashkëpunim me autoritetet italian, Interpolin dhe Drejtorinë e Antiterrorit, ka vënë në pranga një 43 vjeçare të shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë me qëllime terroriste.

Ajo është Lubjana Gjeçaj, e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë.

Gjykata e Hetimeve Paraprake në Milano e ka dënuar me 3 vjet burg Gjeçajn për veprën penale ”Organizatë me qëllime Terroriste”.
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i kësaj shtetaseje u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Njoftimi i plotë

Falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe Interpol Tiranës me homologët në Itali, kapet në Tiranë dhe vihet në pranga një 43 vjeçare e dënuar për pjesëmarrje në organizatë me qëllime terroriste

Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Itali, është marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasje të kërkuar, e dënuar për veprimtari kriminale në fushën e terrorizmit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të Drejtorisë së Antiterrorit, Interpol Tiranës në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 6 në DVP Tiranë, u lokalizua vendndodhja dhe u vu në pranga shtetasja:

Lubjana Gjeçaj, 43 vjeçe, banuese në Tiranë, e shpallur në kërkim ndërkombëtar më datë 4 shtator 2020.

Gjykata e Hetimeve Paraprake Milano, Itali, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale ”Organizatë me qëllime Terroriste”.

Arrestimi i kësaj shtetaseje u bë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme