Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë paraburgim për zyrtarin policor dhe katër qytetarët, që u arrestuan të martën në operacionin “Ulpiana”.
Të martën, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se veprat penale për të cilat dyshohen të ndaluarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Armëmbajtje pa leje”, “Dhënie ndihmë kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, seanca dëgjimore lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë është mbajtur sot dhe pritet të merret vendimi i Gjykatës.
“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), të mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të policisë kanë zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit. Operacioni u zhvillua në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”, thuhej në njoftimin e IPK-së për ndalimin e të dyshuarve.
IPK njoftoj se gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme përfshirë: disa telefona mobil, dy USB, para të gatshme, dy pistoleta, e të tjera.
“Të ndaluar si pjesë e këtij operacioni janë pesë persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe katër qytetarë. Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhej në njoftim.