Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve, anëtare e OEK-ut, ka kundërshtuar vendimin e Stacionit të Autobusëve për shkëputjen e memorandumit të mirëkuptimit për tarifat e peronizimit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, deklaroi se vendimi i Stacionit të Autobusëve është arbitrar.
Kurtishaj potencoi se kanë kërkuar takim për ta ditur arsyen e këtij vendimi me Stacionin e Autobusëve por nuk iu janë përgjigjur.
“Vendimi rreth shkëputjes së memorandumit të marrëveshjes së bashkëpunimit në kuadër të Odës Ekonomike dhe Shoqatës së Udhëtarëve të Transportit Rrugorë, është arbitrar sepse në të janë dy palë nënshkruese të memorandumit. Është punuar shumë gjatë që të kemi një lehtësim të tarifave të peronizimit për vijat ndërkombëtare ndërurbane e të tjera. Kemi kërkuar takim javën e kaluar me stacionin e autobusëve për të parë nga afër se cila është arsyeja e këtij vendimi por ata nuk kanë shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në takim”.
“Andaj ne sot kemi thirr takim me bordin e stacionin të Autobusëve, Këshillin e Shoqatës, dua t’i falënderoj pasi si bord kanë qenë të gatshëm për ndryshime përveç që ndihmojnë operatorët ekonomikë, ndihmojnë edhe qytetarët për qasje më të lehtë në hyrje-dalje të stacionit të autobusëve”.
Kurtishaj tha se stacioni i autobusëve ka marrë ketë vendim kokë me vete dhe jo si bord.
“Kërkesa ka të bëjë me vazhdim bashkëpunimin komfor asaj që kemi nënshkruar në prill të vitit 2019. 6 mujorin e rishikimit të të hyrave të stacionit të autobusëve që krijohen nga operatorët e licencuar të Shoqatës së Udhëtarëve, por ne nuk kemi pasur asnjë ftesë për një vendim të tillë. Ata kokë me vete pa asnjë arsyetim kanë marrë vendim si stacion i autobusëve, por jo si bord”.
Kurtishaj theksoi se këto çmime janë enorme të pagesave të tarifave për qytetarët në krahasim me vendet e rajonit dhe Evropës.
Ai bëri të ditur se shërbimet e njëjta që bëhen në Stacionin e Prishtinës për 20 euro, në Cyrih dhe Stutgart bëhen për 5 euro.
“Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim për të sjell shërbime të mirëfillta për qytetarët duke qenë në harmoni për kërkesat tona. Këtu kemi të bëjmë me çmime enorme të pagesave se tarifat për peronizim nëse krahasohen me vendet e rajonit dhe Evropës. Cyrih paguhet 5 frang, i njëjti shërbim në Prishtinë paguhet 20 euro. Në Stutgart paguhet 8€ për 30 minuta qëndrim ndërsa në Prishtina duhet paguar 20 euro për të njëjtën tarifë. Ne kemi reaguar edhe kur ka qenë taksa e famshme 10 cent për hyrje e dalje”.
“Shkëputje e këtij memorandumi është që ata do të kthehen në çmimin që ka qenë para datës 19 prill kur është nënshkruar dhe kjo është e papranueshme”.