Kohëve të fundit, është aktualizuar çështja e një mediumi të fuqishëm publik, ku vinë në shprehje procedurat administrative.
Ligji Nr. 05/L -031 për procedurën e përgjithshme administrative, si ligj ombrellë, përcakton parimet, mbi bazën e të cilave duhet të punojnë dhe veprojnë organet e administratës shtetërore, njëri nga këto parime të përcaktuar në nenin 10 (parimi i jo formalitetit dhe efikasitetit të procedurës administrative) e cili nënkupton se organi publik zhvillon procedurën administrative sa më shpejtë dhe me sa më pak shpenzime, për të dhe për palën, duke mos cenuar çfarë është e nevojshme për një rezultat të ligjshëm e të pritshëm të procedurës administrative.
Se a zbatohet ky parim, në praktikë, ka shumë dilema.
Gjithnjë sipas këtij ligji, afati procedural për marrje të vendimit nga ana e organit që vendos për ankesën është 30 ditë, të tillë e përcakton neni 135 i Ligjit e i cili në paragrafin 1 të tij përcakton si në vijim: “Përpos kur ligji parasheh një afat të ndryshëm, akti administrativ që zgjidh ankesën do të nxirret dhe njoftohet palës brenda tridhjetë (30) ditëve nga parashtrimi i ankesës.
Të jemi të qartë, ky është rregulli, e përjashtimi është në po këtë neni tek paragrafi 2, e i cili përcakton si në vijim: Afati i paraparë nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të shtyhet kur nevojiten shqyrtime administrative shtesë. Neni 99 i këtij Ligji do të zbatohet përshtatshmërisht gjithashtu për shtyrjen e afatit të paraparë sipas paragrafit 1 të këtij neni.
E neni 99 parasheh që: Përveç kur ndalohet shprehimisht me ligji, nëse është e nevojshme për shkak të kompleksitetit të çështjes administrative konkrete, organi publik mund të shtyjë, vetëm një herë, afatin fillestar të paraparë për përfundimin e procedurës administrative, sipas nenit 98 të këtij Ligji, e i cili përcakton si në vijim: 1. Procedura administrative nisur sipas kërkesës, do të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se sa afati i përcaktuar me ligj të veçantë për atë lloj procedure. 2. Në rast se ligji i veçantë nuk ka paraparë një afat, siç është paraparë në paragrafin 1 të këtij neni, afati i përgjithshëm i zbatueshëm për përfundimin e procedurës administrative është dyzetepesë (45) ditë nga fillimi i saj.
Për të konkluduar, një procedurë administrative, nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndonjë afat ndryshe, duhet të përfundohet (si rregull) brenda afatit prej 30 ditëve, si përjashtim edhe 15 ditë të tjera, pra në total – brenda 45 ditëve.
Se sa është bërë përjashtimi rregull në organet tona, kjo nuk besoj që donë shumë koment.
Autori është avokat i njohur në Kosovë.