“Mallkimi i qytetarëve do ta përcjellë Mustafën deri në varr”

Prishtinë | 13 Gus 2016 | 11:47 | Nga Shefqet Dibrani

Isa Mustafa ka mision shkatërrimin e LDK-së. • LDK-ja do të pësoj humbje drastike dhe shkatërrimi i saj është i paevitueshëm. • Isa Mustafa do të shkon nga politika i turpëruar. • Në analët e historisë Mustafa do të mbetet kryeministri ma kontrovers dhe më i dështuar. • Isa Mustafën do ta zë mallkimi i nënave të vitit 1981, i mërgimtarëve, i luftëtarëve, si dhe, tash edhe mallkimi i qytetarëve të Kosovës do ta përcjell atë deri në varr.

Vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, me kryetarin e kësaj partie, kryeministrin Isa Mustafa, siç duket nuk dëshirojnë të lëshojnë pe në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi.

Tashmë kur edhe anëtarët dhe deputetët e PDK-së, po deklarojnë se ratifikimi i Demarkacionit në këtë mënyrë nuk i shërben vendit tonë, për LDK-në është e kundërta. Këta në mënyrë mjaft të fuqishme po mbrojnë atë se, ratifikimi duhet të ndodh. Përveç disa deputetëve të LDK-së, të cilët mund t’i numërosh në gishta, të tjerët janë pro ratifikimit të Demarkacionit.

Opozita në Kosovë, dhe shoqëria civile, janë kundër këtij ratifikimi, madje këta kanë organizuar edhe protesta e disa prej tyre kanë qenë edhe të dhunshme. Natyrisht se, poqëse ratifikohet Demarkacioni, opozita është e gatshme prapë me organizua protesta të dhunshme, e këtë e kaun konfirmuar tashmë. Mirëpo këto protesta siç duket nuk po e trembin kryeministrin e vendit.

Kjo ngulje këmbë e kryeministrit Mustafa, sipas Shefqet Dibranit, kryetar i LDK-së në Zvicër, e që për shumicën e LDK-së në Kosovë, është kryetar ilegal, është për përfitime karrieriste, dhe me këtë LDK-aj do të pësoj humbje drastike dhe shkatërrimi i LDK-së është e paevitueshme.

Dibrani thekson për Gazetën InfoPress se, për fat të keq LDK-ja është bërë beden për mbrojtje të të këqijave që e kanë mbuluar këtë vend, sidomos që nga zgjedhja e Isa Mustafës, kryeministër!

“LDK-ja është stërkequr aq shumë sa as vet kryesia qendrore nuk është duke ditur se çka po përkrah dhe çka po kundërshton?! Me një fjalë, kryesisë së LDK-së iu ka rënë “terri i pulave”, prandaj në këtë terr në pikë të ditës duket anakronike insistimi i LDK-së për ta mbrojtur çështjen e Demarkacionit për të cilën çështje, tashmë edhe fëmija në djep e ka kuptuar se janë bërë pazare pa hanxhiun.

Po ashtu u përmend edhe një paragraf i Kushtetutës në të cilin qartësohet se pazaret me tokën e Kosovës, kategorizohen në tradhti kombëtare”, pohon Dibrani.

Por, sipas tij, shihet se ata që kanë tradhtuar historikisht, edhe tani duan ta njollosin elektoratin e ndërgjegjshëm të LDK-së, i cili pa fajin e tij është lënë në aut, dhe nga aty nuk ka mundësi për të vepruar.

“Mos lëshimi pe i LDK-së duket edhe më grotesk, kur dihet se nga radhët e kësaj partie janë ekspertet, të cilët në mënyrë shkencore dhe profesionale e kanë dëshmuar se Komisioni Shtetëror për Demarkacionin ka bërë lëshime të ndjeshme, nga të cilat Kosova humb nga territori i saj, prandaj për këto lëshime të qëllimshme dikush duhet të shkojë edhe në përgjegjësi penale, ndërsa LDK-ja do ta merr ndëshkimin e merituar për këtë kurs kaq antidemokratik dhe me konotacione antikombëtare”, thekson ai.

Dibrani pohon se, Isa Mustafa nuk do të tërhiqet nga LDK-ja, dhe këtë mund ta bëjë vetëm elektorati i kësaj partie.

“Duke ia njohur karakterin Isa Mustafës, dhe duke e ditur se ai ka ardhur me mision për ta shkatërruar LDK-në, pavarësisht nga dështimi eventual i ratifikimit për demarkacion, Isa Mustafa nuk do të tërhiqet, atë duhet tërhequr elektorati i kësaj partie, përndryshe nëse vazhdon ky avaz, LDK-ja do të pësoj humbje drastike dhe shkatërrimi i saj është i paevitueshëm.

Sigurisht Isa Mustafa do të shkon nga politika i turpëruar, kurse në analët e historisë ma të re të Kosovës, do të mbetet kryeministri ma kontrovers dhe më i dështuar, të cilin e kanë shoqëruar skandal pas skandali, pa shënuar asnjë sukses”, potencon ai.

Sipas tij, Isa Mustafa as për së afërmi nuk ka ditur për ta menaxhuar udhëheqjen e shtetit.

“Dështimi i LDK-së, tashmë është evident, por çështja për diskutim mbetet pse këtë fakt nuk po e pranojnë strukturat udhëheqëse të LDK-së, të cilat janë barrikaduar në konceptet e tyre të vjetruara. Por nuk dihet pse edhe në strukturat udhëheqëse në qeveri Isa Mustafës vetëm i bëjnë temena duke e përkrahur në heshtje”, shton ai.
Dibrani, po ashtu thekson se, Isa Mustafa ka bërë gabime të pafalshme, sidomos kur ka pranuar të bëhet kryetar i LDK-së dhe kryeministër i Kosovës.

“Prandaj, ai është i vetëdijshëm se do ta zë mallkimi i nënave të vitit 1981, pastaj mallkimi i mërgimtarëve, sikurse edhe mallkimi i luftëtarëve dhe tash së voni edhe mallkimi i qytetarëve të Kosovës do ta përcjell atë deri në varr, madje ky mallkim do t’u lë pasoja edhe pasardhësve të Isa Mustafës të cilët kapitalin ekonomik dhe bizneset i kanë të ndërtuara nga infuzionet e shpeshta të babait të tyre zyrtar i lartë në politikë!

Por alibia e gjithë kësaj mbetet pse Isa Mustafa është i dhënë kaq shumë pas dështimit, dhe pse fare nuk po merakoset për mëkatin që është duke ia bërë edhe të tashmes traumatike dhe të ardhmes pa perspektivë në Kosovë. Por ajo që mund të konstatojmë është e dhëna se këtë vend nuk po lënë ta bëjmë ma mirë, andaj me të drejt pritet për një përfundim tragjik të karrierës së tij politike”, përfundon Dibrani.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme