Kollaret nga thesi i “Babadimrit”

Prishtinë | 30 Dhj 2017 | 14:23 | Nga Fadil Lepaja

Kryeministër, dil, dhe merri kravatat! Edhe këmishët. Ditën e parë të punës, pas vitit të ri, me e fillua me kravatë “të re”! Qorapet edhe gjësendet e tjera, që u mbështetën, apo u varën për gardhi të qeverisë, nuk i ke përmend, kështu që mundesh edhe mos me i marrë.

Merri, veç ato çka i ke përmend se nuk mundet një kryeministër me i ble me rrogë, se “Babadimri” ti ka sjellë. E pamë, u ngritën në këmbë krejt shtresat intelektuale, të sheshit, dhe i mblodhën mbi dyqind e pesëdhjetë kollare për Ju, dhe stafin. Të kanë nderua, kryeministër!Ua kthefsh, me të mirë!

Këshilla ime, të cilën e ke gratis, si kontribut për këtë aksion, është: kollaret merri, e pagën mos e ul. Nëse punon qysh duhet, krejt pagat kanë me u ngritë. Edhe nëse nuk ngriten pagat për të gjithë, pagën tënde (dhe të stafit) mos e ulë pa e ulë edhe presidenti, të veten, dhe të tjerët që janë më lartë, në hierarki. Ani çka se I paskan mbledhë dyqind e pesëdhjetë kollare? Namin e paskan bë!

Nejse, de, dikush këmisha, dikush kollare,e ju të dashur lexues, mos të ju hutojë fakti se në këtë shkrim po përdoret herë fjala kravatë e herë kollare, për të njëjtin gjë, sepse edhe vet Babadimri, në prag të vitit të ri… e ngatërron “standardin”. Pastaj, jo veç kollare, por dikush në takat të vet, fali edhe nga dhjetë cent, e më shumë. Mos të thotë kush, që nuk po dëgjohet fjala e politikës…!

Madje, njëri, aty, për efekt, e hoqi edhe këmishën nga trupi, e hoqi edhe çorapet. Shyqyr që u ndal me kaq.

“Show” hesapi, kryeministër, po s’ke çka me i bë. Mos me pas qenë kryeministër, nuk e kishe pas për obligim as me qeshë me këtë performansë, por tash duhet së paku me buzëqeshë!

Por, kuptohet, nuk mundesh me pranua me i heq, njeri, rrobat prej trupi, sado që ai po përpiqej të dukej se po ti jep me gjithë zemër. Tash, edhe vet duhet të jesh autokritik, kryeministër, s’ke pas nevojë me përdorë atë arsyetim koti, për rritje të pagave. Garant, nuk e ke pyet shtabin e luftës. Nëse asgjë tjetër, e di shumë mirë kur je në luftë, se qysh e ke thanë edhe vet, je si macja, edhe gjithmonë bie në këmbë. Ke mundë me thanë, e rrita rrogën se edhe Hashimi qashtu e ka rritë, edhe Kadriu, edhe… ren vëlla. Të kanë pas nda në luftë, tash në paqe mos lejo! Ky është argumentim që e kupton publiku. Qashtu angazhohesh për barazi, barazi në elitë, kuptohet.

Por, të kthehemi, te performanca. Këtu, aktivistit, i cili veç me insistimin e publikut u ndal te çorapet e para, pasi i hoqi një palë për qeverinë, mbase duhet dhënë një këshillë publike, për të ruajtur vlerën e gjestit të tij human. I nderuar aktivist, kujdes, se nesër mund të jesh edhe (zëvendës)ministër, dhe duhet të dish se në Evropë, kur dhurohen rrobat, ato paraprakisht lahen dhe hekurosen, pastaj dërgohen te shoqatat humanitare. E di, se do të thuash ndoshta se edhe detergjentin keni mundë me e dhurua, në të njëjtën pako, që qeveria me mundë me mbajt nivelin e pastërtisë. Sidomos ka qenë me rëndësi që me e furnizua ministrinë e financave, me detergjent, se paret duhet me qenë gjithnjë të pastra…! Por, kjo ide mundet me u zhvillua pafundësisht, prej gjenerate në gjeneratë….derisa ti marrim vizat.

Dorën në zemër, Kushtrim, ju nuk shfaqët brengë edhe për presidentin, edhe ca të tjerë, të cilët nuk i kanë përmendur fare kravatat kur i rritën rrogat, dhe i bënë gati barabar me ato të fondit të pensioneve, lobit energjetik etj. Kur munden “pensionistët”, pse nuk mundemi ne, thanë ata me veti. E nime, pse jo? Po flasim për fondin, e të gjitha fondet e tjera (jo)publike, kuptohet, se duhet me të vërtetë me pas pagë të mirë, për mos me tu ngjitë për dore paret e qytetarëve. Qashtu duhet me ua bë rrogat edhe ministrave, zëvendës-ministrave, këshilltarëve dhe kujtdo që është afër pareve të popullit. Mos me mundë nesër me thanë, nuk patëm qare, se rrogat e vogla. Nuk është zgjidhje, me u dhënë leje me vjedhë, kushdo që i ka rrogat e vogla. Me vjedhë pushteti, diqysh ka boll, e me u qua populli me vjedhë, prej kujt me vjedhë …?

Nejse, se dolëm prej teme pak. E tema jeni ju, kryeministër. Pas një viti të lodhshëm me zgjedhje, ju po doni me u bë, zgjidhje! E keni ditë se kanë me ju sha, kryeministër, se po i lëvizni gjërat që kanë “fjetur” moti. Mos e prek shtratin e lumit që rrjedh, ka thënë i moçmi. U dashtë me e ditë se ka me pas fjalë…

Por, edhe kjo situatë, ka zgjidhje. Duke pasur parasysh se qeveria, parlamenti edhe presidenca të gjitha janë brenda një gardhi, kështu që të gjithë të interesuarit, nëse mendojnë se paga e tyre nuk u mjafton, mund të dalin te gardhi dhe të marrin ndonjërën nga këmishët dhe kravatat në gardh.

Eh, shoqëria civile! Dikur, te ne, shoqëria civile merrej drejtpërdrejtë me politikë, dhe përfitonin nga politika, hynin e dilnin prej politike, si me qenë gazetar, por edhe tash mund të mos jetë ashtu…! Ky Kushtrimi, për shembull, me iniciativën e tij, dëshmoi se di të argëtojë popullin, kështu që merre në konsideratë, së paku për zëvendës-ministër. Gjithsesi, mbaje mbyllur në zyrë. E kur e lëshon me dalë, thonë: “Ramushi, e lëshoi Kushtrimin”.

Edhe Halilit, i ra hise një kravatë, e kuqe, me pika të bardha, e lidhur hazër. Por ai, ja di renin, si njeri i muhabetit e i letrave. Shpërndau, për gazetarët dhe humanitarët, dhurata nga qeveria, të paketuara si një raport pune. Çka mundet një qeveri me i dhanë më shumë popullit të vet, sesa punë? Qeveritë e mëparshme, kurrqysh nuk kishin guxua me i dhurua rinisë, një raport pune. Për raport, nuk e kishin telash as qeveritë e tjera, por puna ishte…te puna.

E Ramushi, po raporton duke qeshur. Pas raportit, te presidenti, te krye parlamentari, u pa se nuk e ka problem me i raportua edhe shoqërisë civile. Duhet me i respektua, se qysh o edhe traditë te ne, nesër të njëjtit mundet me i pas edhe ministra, apo zëvendës të tyre. Më së paku, këshilltarë!

Tash i kemi, të gjitha. Edhe vendi në mes të dimrit, ka nisë e po lulëzon, sa veç edhe vizat po na mungojnë. Duhet me ikë dika, se nuk jemi mësua me na raportua qeveria…! Mundet me u bë…ngjitëse!​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme