Trajtimi i infarktit: Pesë porosi për ministrin Ismaili

Prishtinë | 03 Shk 2018 | 17:30 | Nga

Ju lutem shumë korrigjojeni në FB deklaratën tuaj se “Trajtimi i këtij problemi shëndetësor… do të bëhët për herë të parë në QKUK në 24/7”. Kjo, sepse kjo deklaratë është e pavërtetë. Dhe normalisht Ministrit nuk i lejohet të jap deklarata të pavërteta.

I nderuari Z. Ministër, Uran Ismaili, pardje paska deklaruar se nga java e ardhshme, Infarkti i Miokardit do të fillojë të trajtohet 24 orë në ditë, shtatë ditë të javës. Një lajm për një vendim shumë të mirë për pacientët dhe për mjekët që mirren me këtë problematikë. Një lajm që më pëlqeu, për një vendim të mirëpritur dhe shumë të pëlqyer për mua, sepse unë isha ideatori, misionari dhe vendim-marrësi i parë për këtë trajtim, atëherë kur në Tetorin e vitit 2014, bashkë me ish Ministrin dhe ish Drejtorin e SHSKUK, në cilësinë e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, vendosëm dhe filluam trajtimin e Infarktit Akut të Miokardit 24 orë shtatë ditë në javë. Dhe s’kam si të mos përgëzoj më jë BRAVO Ministrin Ismaili për këtë vendim.

Mirëpo, duke lexuar lajmin e gëzueshëm të lançuar nga Ministri aktual i Shëndetësisë, me qëllim të dhënjës së kontributit tim në këtë çështje, në cilësinë e kardiologut, Pofesorit universitar, kryetarit ë Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës, si dhe njërit nga recenzentët e udhërrëfyesit të fundit të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë për trajtimin e Infarktit Akut të Miokardit, nuk mund të mos shkruaj këtu disa porosi për të, duke shpresuar se këto porosi do të ndihmojnë vet Ministrin në rrugën e deklaruar të reformave, të cilat nëse rezultojnë të suksesshme, më së shumti do të na gëzojnë ne profesionistët shëndetësorë.

Porosia e parë: Korigjimi i mesazhit të publikuar ë FB
I nderuari Z.Ministër,
Ju lutem shumë korrigjojeni në FB deklaratën tuaj se “Trajtimi i këtij problemi shëndetësor… do të bëhët për herë të parë në QKUK në 24/7”. Kjo , sepse kjo deklaratë është e pavërtetë. Dhe normalisht Ministrit nuk i lejohet të jap deklarata të pavërteta. Madje për deklarata të pavërteta Ministri duhet të jap dorëheqje. E në fakt, deri në momentin e publikimit të këtij postimi tim në FB, Ju nuk keni asnjë faj, sepse ata që ju kanë këshilluar për deklaratën sigurisht kanë “harruar” se në Tetor të Vitit 2014 në QKUK ka pas filluar trajtimi i Infarktit Akut 24/7. Gjithashtu, më duhet të ju vë në dijeni se kjo procedurë e trajtimit ka zgjatur rreth 4 muaj, dhe atë me rezultate spektakolare (një humbje jete për 4 muaj). Atëbotë trajtimi i Infarktit akut është kryer nga vetëm dy mjekë kardiologë invaziv në dispozicion (unë dhe Dr.Agim Krasniqi) dhe tre infermierë. Kjo, sepse që në ditën e parë të implementimit të orarit të punës 24 orë në ditë, puna u sabotua nga ata mjekë tjerë që kishim në dispozicion, përkatësisht nga ata që sot ju mbani në të dy krahët për implentimin e këtij projekti të rëndësishëm (njëri iku nga puna, e tjetri nuk la gurë pa lëvizur për të marrur 6 muaj pushim pa pagesë!). Katër muaj ne bëmë një punë me një përkushtim të paparë, duke mësuar personelin nga e para të gjitha procedurat e nevojshme të trajtimit të Infarktit Akut, meqë një procedurë e tillë nuk ishte bërë asnjëherë më parë (përjashto 2-3 raste të bëra për çështje televizive, përkatësisht për të pozuar para kamerave të tyre). Arritëm që të bëjmë trajnimin e stafit përcjellës dhe të mësohemi edhe nga ekspertët kombëtar e nderkombëtar që unë ftova me miqësinë që kisha për të përfituar eksperiencat e tyre. Bëmë një punë vertetë të paimagjinueshme edhe për neve, me një përkushtim mbinjerëzor, e në kushte tepër të rënda dhe pa asnjë mbështetje shtetërore e institucionale. Madje, nuk mund të siguronim as edhe një infermier më tepër për të realizuar ndërrimet, duke harruar shëndetin tim dhe të dr.Agimit, sepse të punosh cdo të dytën ditë 24 orë në ditë s’do mend së paraqet rrezik serioz të shëndetit të personelit. Dhe u deturuam të ndërprejmë trajtimin 24/7, për dy motive: 1) Sabotimi i punës nga kolegët që tash po pretendojnë të bëjnë atë që ne e bëmë atëbotë, dhe 2) mungesa absolute e mbështetjës institucionale (po të gjurmoni në arkivat e QKUK do të bindet çdokush nga shkresat-kërkesat e panumërta që nuk u realizuan asnjëhere)! Nejse, kjo mund t’i takojë historisë dhe mund të mos këtë asnjë rëndësi për Ju si Ministër, në momentin aktual. Por, megjithatë të lutem, ndërrojë deklarimin se do të bëhët për herë të parë në QKUK kjo procedurë. Mos e bëjë këtë për mua; bëjë për Ju si Ministër që të jeni korrekt me publikun, bëjë dhe për hirë të Dr. Agimit, që bashkë me mua u zgjuam dhjetëra herë pas mesnatës për të trajtuar Infarktin Akut të Miokardit, bëjë edhe për hirë të atyre infermiereve, mjekëve kardiologë e specializantëve, të cilët derdhën gjithë ato djerëse e mund për të mbikëqkyrur këta të sëmurë, në kushte tepër të rënda të punës, me mungesë barnash e materiali, shpeshherë me improvizime, duke arritur që të shpëtojnë qindra jetëra njerëzish. Bëje edhe për hirë të atyre dhjetëra pacientëve me infarkt akut që u trajtuan në çdo kohë ata 4 muaj, e të cilët ishin dhe janë jashtëzakonisht mirënjohës. Unë dhe personeli i Klinikës së Kardiologjisë nuk kemi ndonjë qef-mbetje deri në këtë moment, sepse ne e dijmë se duke mos qenë mjek nuk e keni ditur këtë fakt, por gjithashtu e dijmë se kush janë ata që janë të interesuar ta fshijnë këtë periudhë të historisë.
Porosia e dytë: Eliminoje modelin eksperimental “sui generis” të kardiologjisë në QKUK
Zoti Ministër, askund në globin tokësor kardiologjia invazive (intervente) nuk i takon kardiokirurgjisë – ajo i takon gjikund në botë kardiologjisë; janë degë mjekësore komplet të ndara, që edhe origjinën e kanë në dy trungje të ndara – njëra në mjekësi interne e tjetra ne kirurgji. Madje edhe në wikipedia po kërkove e gjënë se “Interventional cardiology is a branch of cardiology….”. Eshtë e çuditshme por edhe indikative, se si arritën persona të caktuar (jo krejt të njohur për ne) që ta copëtojnë, ndajnë, aneksojnë pjesën më vitale të klinikës dhe ta dërgojnë në një Klinikë tjetër?!. Z.Ministër edhe unë kam filluar të besoj se Kosova është vend i çudirave! Si mund të bëhët një eksperimentim i tillë, në një vend pa traditë të kësaj fushe. Unë nuk arrijë të ju shpjegoj miqëve të mi nderkombëtarë ekzistencën e kardiologjisë intervente jashtë kardiologjisë: thjesht ata nuk e kuptojnë, nuk e kuptojnë sepse është non sens! Kjo, jo sepse ashtu është shkruar në ndonjë libër të shenjtë, por sepse thjeshtë nuk funksionin ky model, prandaj askush në botë nuk ka provuar ta eksperimentojë, e lë më ta implementojë. Eshtë e lehtë të kërkohet në google, mjafton një kërkim 2-3 minutesh dhe do bindeni se një model i këtillë nuk ekzistoon akund në glob! E copëtimin e klinikës e pëshpërisin në forma të ndryshme nëpër QKUK, pëshpëritje të tipit Kadarian: dikush thotë se e ka bërë dikush i fortë në Qeveri për ta privatizuar sepse ky është shërbim i shtrenjtë, të tjertë thonë se e ka shfrytëzur rastin dikush që është i fortë në Qeveri për ta shfrytëzuar për vete (monopolizuar), e cfarë nuk ju pjell mendja mjekëve nëpër QKUK, sepse ne fakt asnjëherë nuk u gjet akteri, aktori e as autori i ndarjes misterioze. Tamam si në përshkrimet e Kadaresë në romanet e tij të shumta për kohën e monizmit. Një gjë dihet: asnjë Kolegjium i Kardiologjisë në asnjë kohë nuk e kishte diskutuar, e le më miratuar këtë ndarje. Përkundrazi, e kishin kundërshtuar fuqishëm, me firma e protokol! Por ndarja ndodhi!
Të ju marr edhe një shembull shumë banal, për të ju ndihmuar të kuptoni se ky model eksperimental nuk shkon: mbrëmë që unë isha kujdestar kishim një fluks të madh pacientësh me sëmundje të zemrës në Qendrën Emergjente të cilët kishin indikacione të qarta për hospitalizim, dhe kolegu im që ishte me përshkrim detyre të mbulojë Emergjencat, ktheu në shtëpi shumë pacientë të tillë, duke rrezikuar jetët e tyre e shumë të tjerë ngelën për trajtim në Qendrën Emergjente, ndërkohë që dy dhoma në Klinikën e Kardiologjisë ishin bosh, dhe për çudinë time ishin të mbyllura me çelës! Infermieret më thanë se këto dhoma i paska marrë ajo copa tjetër e kardiologjisë dhe se ata po i mbyllkan me çelës natën e po i hapkan në mëngjes! E po, se mbyllën dhomat e pacientëve natën me çelës, këtë as s’e kisha parë kurrë e a s’e kisha dëgjuar kurrë. në ato 5-6 shtete kah unë kam kryer shkollë!
Kjo ndarje është bërë pa pëlqimin e kardiologëve. Ne ju kemi dorëzuar ju Z. Ministër kundërshtimet (datë 29.12.2017, me numër protolli 05-9782), e shumicës absolute të kardiologëve të QKUK (përjashto 2-3 kolegë, të cilët në fakt nuk janë kardiologë por punojnë “si kardiologë” [edhe kjo është çëshje sui generis] që nuk kanë pranuar të nënshkruajnë, të cilët dyshohet se janë misionarët e këtij eksperimenti). Dhe nga ajo kohë nuk kemi marrë përgjigje. Nuk di që të jetë ndonjë kardiolog me liçencë kardiologu që punon ose ka punuar në QKUK e që të mos jetë nënshkruar kundër kësaj ndarjeje të pakuptimtë të Klinikës. Ne jemi mësuar me ekzistimin e të ashtuaquajturës “heshtje administrative”, e cila i mundëson një zyrtar shteteror që të mos përgjigjet dhe të cilën metodë e kanë aplikuar paraardhësit tuaj pa përjashtim, me te cilet edhe nuk jemi befasuar. Nejse, ligjshmërisht keni të drejtë të mos përgjigjeni, por pritej nga ju si student i Harwardit se do të reagoni, do të na përgjigjeni – nuk do të na injoroni. Përsëri, besoj shumë se informacionet që keni nga 2-3 kolegë (të cilët nuk janë kardiologë), të cilët konsiderohen edhe si misionar të modelit eksperimental te kardiologjisë në Kosovë, ju kanë bërë të pamundur komunikimin me masën e kardiologjisë. Eshte shumë e çuditshme dhe a pashpjegueshme se si nënshkrimet e 2-3 kolegëve që nuk janë kardiologë, kanë bindur ish Ministrin, dhe së fundi iu kanë bindur Ju për këtë organizim të paparë e padëgjuar në botë, kundrejt kundërshtimit të krejt kardiologëve të punësuar në QKUK?!
Porosia ime që të eliminoni modelin eksperimental, unikal në botë, nuk është sa për të thënë një propozim, por ngaqë kjo ndarje e çuditshme e Klinikës ka sjellur probleme të natyrave nga më të ndryshmet në Klinikë, ka pamundësuar edukimin e kuadrit të ri, ka sjellur monopolizim të këtij sektori për interesa të 2-3 individëve: shumë mjekë të ri të punësuar në këtë copën e kardiologjisë së mbetur nuk mund të provojnë të bëjnë kardiologji invazive sepse nuk janë të punësuar në atë copën tjetër të kardiologjisë! Anakronike, apo! Por, të gjitha këto edhe mund të gëlltiten, por dështimi në trajtimin korrekt të pacientit është ajo që nuk mund të gëlltitet. Kjo, sepse duke mos qenë të gjithë kardiologët në një Klinikë, por në dy copa administrativisht të ndara, ka munguar komunikimi, ka munguar debati shkencor e profesional (ky debat është komplet i vdekur në 2 vitet e fundit), ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhënjet ndërnjerëzore, dhe për pasojë ka rritur incidencën e komplikimeve perioperative tek pacientët që kanë kryer ose kanë qenë duke pritur për procedura invazive, deri në humbje jete. Ju lutem shumë bëni një auditim lidhur më këtë çështje dhe shif rezultatet! Ju keni mësuar në Universitetin e Harwardit se auditimi është forma më e mirë për të bërë vlerësimin e punës dhe përmirësimin e saj. Ju dhe publiku do më thoni, po pse ky njeri nuk iu është drejtuar organeve të QKUK-së për këtë problem? Përgjigja ime është se së paku njëherë iu kam drejtuar mu për këtë çështje, ndërsa kur kam provuar hera të tjera për të protokoluar një shkresë, ankesë, etj., kam marrë përgjigje nga administrata e QKUK se “asgjë nuk mund të protokolohet në QKUK pa e firmosur drejtori”! Meqë ra fjala, përsëri një gjë e paparë dhe e padëgjuar ndokund: P.sh. nësë dëshiron të bësh një ankesë drejtuar drejtorit tënd dhe nëse ai nuk dëshirën ta firmos, ti nuk mund të bësh ankesë! E padëgjuar as në vendet më dikatoriale ish-komuniste! Të paktën tek ju në Ministri lejohet të protokolosh çfarë të duash, pavarësht se në shumicën e rasteve nuk merr përgjigje. Dikush përsëri do të pyes: Pse nuk i ke adresuar këto çështje në Komitet Etik? E përgjigja ime është se i kam drejtuar para më shumë se 6-7 muajsh, por ato kanë ngelur në sirtar, anipse në Komitete Etiko-Profesionale drejtori gjithëmone emron njerëzit e tij.
Pra, Zoti Ministër, ju lutem shumë eliminoni këtë model eksperimental të kardiologjisë. Mos e bëni këtë për mua; bëjëni që të jemi si krejt bota, bëjëni për hirë të pacientëve që të kemi rezultate sa më të mira, bëjëni për hirë të kolegëve të rinj, të cilëve po u pamundësohet qasja në kardiologji invazive (nuk ka asnjë problem për mua, anipse nuk më lejohet të futem në sallë pa asnjë vendim [edhe kjo ndodhë në Kosovë!] edhepse unë kam stentuar pacientë më shumë për një muaj se që kishin stentuar për 4 vjet ata që sot udhëqheqin këtë njësi). Eliminoni këtë model eksperimental Z.Ministër (anipse Ju nuk keni asnjë faj në implementimin e tij, sepse kjo u bë nga paraardhësi juaj), edhe për veten Tuaj, që të mbetet një shenjë e mirë në CV tuaj, si implentues i standardeve euroatlantike (në të cilat vende askund nuk ekziston një model i këtillë).
Porosia e tretë: Zbatoni ligjëshmërinë dhe statutet në fuqi për udhëheqësit e kardiologjisë
Z.Ministër, vet fakti se ju shpenzoni një kohë të konsiderueshme për sëmundjet e zemrës (dhe bëni shumë mirë që shpenzoni sepse sot ato janë vrasësi numër një i njerëzimit në botë), tregon për peshën e kësaj njësie, klinike, shërbimi, quajeni si të doni. Këto shërbime duhet të udhëhiqen nga njërëz të specializuar për kardiologji. Aktualish nuk është kështu: ato udhëhiqen (dhe janë udhëhequr në periudhën e fundit dy vjeçare) nga profesionitë që nuk kanë mbaruar shkollim specialistik apo subspecialistik nga fusha e kardiologjisë, dhe për rrjedhojë nuk kanë çertifikatë (apo diplomë) kardiologu dhe/ose liçencë kardiologu! Për këtë çëshje ju kam njoftuar së paku një herë personalisht. Kjo bën, jo vetëm që ne dhe publiku të jenë të pasigurt në shërbimet shëndetësore të ofruara nga profesionistët në fjalë (sepse nuk kanë kryer shkollim adekuat), por ngërthen në vete edhe përgjegjësi juridike në tërë hierarkinë që ka emëruar në krye të një Klinike, Shërbimi, etj, profesionistë shëndetësorë pa liçencë përkatëse, në rastet e kontesteve gjyqësore eventuale në të ardhmen, duke u rrezikuar dëmtimi buxhetor i Ministisë, përkatësht buxheti i shtetit.
Ju lutem Z. Ministër, bëni një auditim dhe shifni komplikimiet perioperative dhe vdekshmërinë e pacientëve në kohën e udhëheqjes së këtyre njësive nga kolegët pa liçencë kardiologu dhe krahasojeni atë me periudhën përpara kësaj, kur udhëhiqej nga profesionistë të liçencuar. Ju dhe publiku do më pyesni, pse këto shqetësime nuk i kam adresuar në QKUK dhe Komitetin Etik të QKUK? Përgjigja ime është: Po i kam drejtuar atëherë kur lejohej protokollimi, por kurr s’kam marrë përgjigje! Për më tepër unë kam kërkuar leje për një studim epidemiologjik retrospektiv për vdekshmërinë e pacientëve me infarkt akut (për çfarë askund nuk kërkohet leje e Komitetit Etik sepse është studim retrospektiv) dhe nuk më është lejuar! Sdo mend se dyshimi se kjo pengesë është bërë për të fshehur numrat është real.
Pra, konsideroj se duhet eliminuar menjëherë këtë shkelje ligjore dhe statutare, duke vënë në krye të këtyre njësive njerëz që plotësojnë kushtet e domosdoshme statutare (e kushti i parë është të jetë specialist i lëmisë përkatëse), e të tillë ka mjaftë.
Ju dhe publiku mund të mendoni se problemi qëndron në faktin se këta kolegë kanë kryer krejt shkollimin e tyre bazik dhe pasuniversitar në masat e dhunshme të Serbisë të instaluara nga Millosheviqi dhe se kanë punuar në po këto masa! E unë po ju përgjigjëm se është e pavërtetë. Vërtetë, unë dhe shumica absolute e kolegëve të mi zgjodhëm bojkotimin e atyre institucioneve, ndërsa një numër krejt i papërfillshëm i përqafoi ato. Kjo është çështje krejt morale e këtyre kolegëve të shkolluar në masa të dhunshme të kohës së Millosheviqit e që sot ju keni vendosur që të udhëheqin më këto njësi të kardiologjisë. Pra juridikisht ata janë OK, sepse Republika e Kosovës i ka njohur diplomat e tyre të përfituara në masat e dhunshme në institucionet e instaluara serbe në Kosovë në vitet 90-ta. Kjo s’ka asgjë të bëjë me realitetitin e të qenit udhëheqës në Kardiologji, problemi është se ata nuk kanë shkollim të kryer dhe për rrjedhojë nuk kanë liçenca, dhe për pasojë nuk kanë të drejtë të jenë udhëheqës të një Klinike, Shërbimi, etj.
Kjo çështje nuk ka fare të bëjë as me faktin se këta kolegë janë miqë të ngushtë të dhëndërrit Tuaj dhe as me faktin se vijnë nga e njëjta parti politike. Kjo është krejt e parëndësishme në momentin aktual. E rëndësihme dhe vendimtare është fakti se ata nuk janë kardiologë dhe sipas Ligjit për Shëndetësi në fuqi dhe Statuteve të SHSKUK dhe të QKUK nuk kanë të drejtë të jenë në krye të asnjë Klinike, Shërbimi, etj.
Pra, Zoti Ministër, të lutem shumë zbatoje ligjin dhe statutet në fuqi, pavarësht miqësisë dhe i pavarur nga ndikimi politik, që mund të keni! Mos e bëjë këtë për mua, bëjë për të kthyer shpresën tek gjenerata e re, bëjë për të siguruar trajtimin adekuat edhe ligjor të pacientëve të Republikës së Kosovës.
Porosia e katërt: Vëji para përgjegjësisë ata që shpenzuan 2 milionë euro
Z. Ministër,
Ju në postimin e pardjeshëm në FB paskëni deklaruar se “Vetëm vitin e kaluar janë shpenzuar rreth 2 milionë euro… për trajtimin e sëmundjeve të kësaj natyre”. Aspak nuk e vë në dyshim këtë shifër, anipse në vendet e rajonit për trajtimin e infarktit akut shpenzohen më shumë mjete për kokë banori.
Nëqoftëse është kështu, dhe nëqoftëse do të fillojë javën që vjen trajtimi i Infarktit Akut 24/7, pa ndryshimin fare të kushteve në Kardiologji (të njëjtit mjekë, e njëjta sallë, e njëjta njësi koronare, të njëjtit monitorë [sot me pak në funksion se para një viti], të njëjtat mungesa barnash (në mos më shumë), atëherë përgjëgjësi e kujt është shpenzimi i këtyre 2 milionë eurove, në vend se të bliheshin pajisje me ato mjete (siç me të drejtë deklaroni Ju)? Ndërmerrni masa disiplinore ndaj atyre që paskan shpenzuar kot këto 2 milionë euro Zoti Ministër! Mos e bëni këtë për mua, por bëjëni për të dëshmuar se secili do të vihet para përgjegjësisë për atë çfarë ka bërë dhe çfarë s’ka bërë, pavarësisht miqësisë, pavarësisht përkatësisë partiake, politike, etj.
Porosia e pestë: Pajiseni Klinikën me barna dhe pajisje të domosdoshme
Përpara se të filloni trajtimin e Infarktit Akut 24/7, ju lutem shumë Z.Ministër pajiseni Klinikën me gjëra elementare, sepse duke trajtuar Infarktin Akut 24 orë në ditë, në mungesë edhe të gjërave më bazike (mbrëmë që unë isha kujdestar, në Klinikë nuk kishte gjilpëra dhe sisteme për infuzione!) mund të këtë komplikime serioze periprocedurale deri në humbje jete edhe për mungesën e një gjilpër (që mbrëmë mungonte), sepse familjari mund të mos këtë kohë e mundësi për të shkuar në një barnatore private për të blerë në gjilpërë, njëë sistemi infuzioni, apo një bar që mungon në Klinikë. Trajtimi i infaktit akut të miokardit është procedurë komplekse, e cila është shumë më shumë se hapja e një arterie të mbyllur koronare dhe vendosja e një steni në arterien e mbyllur. Kërkohet një ndjekje korrekte dhe shumë profesionale së paku 48 orë pas kësaj procedure, e një gjë e tillë është iluzore të bëhët në një njësi koronare ku nuk ka sistem infuzionesh, bie fjala, ose kur nuk ke monitor për të monitoruar ritmin në atë sallë! Pra, edhe puna e shkëlqyeshme e një mjeku kardiolog që ka kryer procudurën, mund të shkoj krejt huq, për një ndjekje jokorrekte e cila mund të vijë për shkak të mungesës së gjërave elementare, duke vënë profesionistët në pozita donkishotiane.
I nderuari Z. Ministër,
Ju lutem shumë konsideroni porositë e mia tepër miqësore, dhe si porosi që do të të ndihmojnë në rrugën tuaj të reformave. Sinçerisht konsideroj se deri në këto momente nuk ke asnjë faj për këtë situatë, meqë jam i sigurtë se keni qenë i painformuar ose i keqinformuar për gjendjen në kardiologji, dhe dëshiroj të besoj se neglizhimi i kthimit të përgjigjeve mua dhe kolgëve të mi, të adresuara më parë ka qenë për shkak të agjendes suaj të ngjeshur. Unë pres nga ju, si njeri me elan të ri, që në të ardhmen e afërt të merrni mendimet e shumicës lidhur me trajtimin e sëmundjeve të zemrës në Kosovë, të jodomosdoshmërisht mund të jenë krejt të tjera nga ato që deri sot keni marrë nga dy vetëm dy kolegë.
Unë ju siguoi se kolegët e mi dhe unë, që deri më sot asnjëherë nuk jemi kontaktuar nga ju në asnjë formë të komunikimit, do të jemi maksimalisht konstruktiv për më të mirën e mundshme të Klinikës së Kardiologjisë (e cila domosdoshmërisht duhet të jetë një dhe e vetme, si në krejt botën), të cilën ne e kemi dhe e konsiderojmë si shtëpinë tonë të parë.
Sinçerisht,
Prof.dr.sci. Gani Bajraktari, MD, MSc, PhD, PhD, FESC, FACC
Mjek kardiolog në Klinikën e Kardiologjisë
Profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës
I diplomuar në Mjekësi të Përgjithshme në Univeristetin e Prishtinës (jo në masa të dhunshme)
I specializuar në Universitetin e Tiranës
I magjistruar në Universitetin e Zagrebit
I doktoruar në Universitetin e Prishtinës
I doktoruar në Universitetin Semelweis, Budapest, Hungari
I doktoruar në Universitetin e Umea-s, Umea, Suedi
Kryetar i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës
Recenzent i ESC guideline për trajtimin e Infarktit të Miokardit (STEMI) – 2017
Ligjërues i ftuar për Trajtimin e Infarktit Akut të Miokardit nga Shoqatat e Kardiologëve të Shqipërisë, Turqisë, Italisë, Bosnjës dhe Rumanisë
P.S. Ndalohet çfarëdo lloj citimi (publikimi i pjesërishëm) i këtij shkrimi nga mediat e shkruara dhe elektronike
Lejohet pubikimi i plotë dhe i pandryshuar i këtij shkrimi nga të gjithat mediat e shkruara dhe elektronike brënda dhe jashtë vendit

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme