Opozita e akuzon pushtetin se po ndërhyn në drejtësi

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 19:57 | Nga Ekonomia Online

Pushteti ka vazhduar me akuza ndaj prokurorisë pas arrestimeve të fundit në MINT për rastin me rezervat shtetërore. Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, ka akuzuar prokurorinë për huqje elementare në kalkulim e në elemente të dosjes së Prokurorisë. E zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka quajtur “keqpërdorim të mekanizmave ligjorë për hakmarrje”, arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë. Opozita e ka akuzuar pushtetin për ndërhyrje në drejtësi.
Pushteti nuk po pajtohet assesi me arrestimet e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka quajtur “keqpërdorim të mekanizmave ligjorë për hakmarrje”.

Sallahu ka thënë se “çështja ka karakter komplet civil dhe po tentohet të kthehet në çështje penale si formë hakmarrjeje ndaj Qeverisë”.

“Nëse do të shkonim me supozimin se secili mosrealizim i kontratës ose realizim i pjesshëm i kontratës do të plotësonte figurën e veprës penale, atëherë krejt qytetarët e këtij shteti do të jenë përgjegjës penalisht dhe do ta shuanim të drejtën civile si degë të së drejtës”, ka thënë Sallahu.

Edhe deputeti Armend Muja akuzoi Prokurorinë për huqje elementare në dëmin e supozuar që i është shkaktuar buxhetit shtetëror.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet që është shkelur procedura e prokurimit, e elemente të tjera të dosjes së prokurorisë.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro… Dosja e Prokurorisë nuk specifikon afatet kohore se kur do të duhej të arrinte malli. Nuk specifikohet nëse kemi të bëjmë me vonesë apo mungesë… Dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare. Me gjasë, zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare”, ka thënë Muja.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë që reagimi i Mujës dhe të tjerëve brenda VV-së, orkestrohen nga kryeministri Albin Kurti për ta mbuluar të vërtetën e këtij rasti.

Gruda këto komente i quajti ndërhyrje në procesin e hetimit.

“Ne të gjithë kemi informacion për atë që ka dalë në publik, por askush nuk e ka informacionin që e ka prokuroria, prandaj nuk mund të jepen vlerësime të tilla. Nuk do duhej të paktën të kishte, as Armend Muja e as kryeministri e askush tjetër nuk mund të ketë qasje në dosjen hetimore aq sa ka prokuroria. Prandaj, prokuroria e di me saktësi nëse këto janë apo nuk janë të vërteta. Në fund do të vërtetohen në një proces gjyqësor, por Armend Muja nuk mund t’i bëjë gjyq çështjes. Ky është gjyq ndaj çështjes”, ka thënë Gruda.

E nënkryetari i LDK-së, Xhafer Tahiri, ka thënë se integriteti i lartë i gjyqtarëve e prokurorëve po dëshmohet çdo ditë dhe se pavarësia e tyre është e garantuar me Kushtetutë.

“Armend Muja nuk ka Kompetencë profesionale ta komentojë punën e prokurorisë. Tani kur janë zënë me presh në dorë, Muja dhe deputetët e VV po e mbrojnë në mënyrë të palogjikshme vjedhjen e hapur të rezervave shtetërore. Prokuroria e Drejtësia duhet të lejohen të punojnë pa ndërhyrje politike nga pushteti”, ka deklaruar Tahiri.

Në Dosjen e Prokurorisë Speciale të cilën e ka publikuar KOHA, pretendohet se buxheti është dëmtuar për 601 mijë euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të dyshuarit kanë sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa vaj e sheqer nuk kanë sjellë fare.

Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, si dhe biznesmen Ridvan Muharremi, u arrestuan të premten.

Të ngjashme