Buxheti i Komunës së Prizrenit për vitin 2019 në shumën prej mbi 47 milionë eurove është miratuar nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
Përderisa përfaqësuesit e koalicionit qeverisës e kanë vlerësuar atë si zhvillimor dhe që sjell ndryshim edhe në mënyrën e qeverisjes, në anën tjetër opozita e përbërë nga këshilltarët e PDK-së dhe të AAK-së e kanë cilësuar të njëjtin si diskriminues ndaj rajoneve të caktuara të Komunës, shkruan sot Koha Ditore.
Këta të fundit kanë theksuar se buxheti i vitit të ardhshëm nuk ka ndryshime thelbësore nga buxhetet e mëparshme. Mënyrat e ndryshme të leximit të buxhetit janë reflektuar edhe në votimin në seancën e fundit të KK-së, ku 24 anëtarët e koalicionit qeverisës e kanë përkrahur derisa 10 këshilltarët opozitarë kanë votuar kundër.