Mungesa e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nuk u mirëprit nga deputetët opozitarë, i cili ishte i ftuar të raportonte për raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për 2021, raporton Ekonomia Online.
Kjo pasi i njëjti ka shkuar për vizitë në Spitalin e Mitrovicës.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e ka kritikuar ministrin Latifi për mospjesëmarrje, duke thënë se ka mundur ta përfundojë mbledhjen dhe më pas të shkonte në Spitalin e Mitrovicës.
Para anëtarëve të Komisionit, Bajrami ka thënë se para dy orëve kanë marrë informatën se ministri nuk mund të vijë.
“Nuk po them që vizita në Spitalin e Mitrovicës është e parëndësishme, për juve është e rëndësishme, por për mua më e rëndësishme do të ishte ministri me qenë këtu. Ka mundur ta përfundojë mbledhjen dhe të shkojë. Prej orës 10:00 është atje. Kjo po bëhet me qeverinë e juaj, asnjëherë përpara nuk ka ndodhur”, është shprehur ajo.
Anëtarët e Komisionit vendosën që raporti i Ministrisë së Shëndetësisë të shkojë në seancë, për shkak të mungesës së ministrit Latifi.