Projektbuxheti i vitit 2019 është bërë shkas i përplasjeve të ashpra mes pozitës dhe opozitës. Deputetët nga radhët e opozitës nuk i kanë lëkundur aspak qëndrimet e tyre për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Ata janë shprehur të bindur se nuk do ta votojnë këtë projektbuxhet. Derisa në anën tjetër deputetët e pozitës janë shumë të bindur se projektbuxheti do të kalojë në seancën e Kuvendit, shkruan sot Gazeta Zëri.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë gjetur kohë të shfaqin mendime të kundërta edhe në votimin e projektbuxhetit për vitin 2019. Ata kurrsesi nuk po arrijnë të gjejnë një marrëveshje në këtë mes.
Derisa deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje po deklarojnë se nuk do ta votojnë projektbuxhetin e vitit 2019, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë të bindur se projektbuxheti do të kalojë edhe pa votat e tyre.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ka konfirmuar se qëndrimi i partisë së tij është kundër si herëve të kaluara.