Partitë opozitare në vend janë shprehur të pavendosura nëse do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për t’u takuar nesër (të enjten) për të harmonizuar rezolutën për dialogun me Serbinë.
Përderisa përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Partisë Socialdemokrate (PSD) kanë thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk kanë diskutuar në Kryesinë e partisë për pjesëmarrjen në një takim të tillë, në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) vlerësojnë se nuk është koha për tryeza të reja, por për zgjedhje të reja në vend.
Ndërsa sipas deputetëve të koalicionit qeverisës, është shumë e rëndësishme gjetja e konsensusit politik për dialogun Kosovë – Serbi, duke shtuar se ky konsensus gjendet pikërisht në propozim-rezolutën e hartuar nga koalicioni qeverisës.