Kërkesën për zgjedhje të reja në vend partitë opozitare po e shfaqin çdo ditë e më shumë edhe gjatë këtij fillimviti. Nga PDK e AAK janë të hapur për koalicione dhe nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti, ndërsa LDK-ja vendimin do ta marrë nga Këshilli, raporton Ekonomia Online.
Partitë opozitare thonë se keqqeverisja e ka rënduar jetën e qytetarëve dhe se për këtë duhet t’iu drejtohen kutive të votimit. Si dëm tjetër i përmendin sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, shpreh bindjen se do të dalin fitues në zgjedhje. Ai për Ekonomia Online thotë se vija të kuqe kanë vetëm për partitë serbe.
“E para ky vit zgjedhor, çoftë i zgjedhjeve të rregullta çoftë i atyre të parakohshme, e dyta si parti politike jemi të organizuar që në zgjedhje me fitu për ta vazhduar rrugëtimin e Kosovës përpara sepse për këto tri vite kemi parë ngecje e po ashtu edhe sanksionim për herë të parë nga BE-ja. Vijat i kuqe PDK-ja i ka pas vetëm me Serbinë por jo me shqiptarët”, thotë Haxhiu.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka deklaruar se me përmendjen e zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje po synon t’i mbulojë dështimet që i ka pasur gjatë këtij mandati.
“Po i shohim deklaratat e njëpasnjëshme të Qeverise. Këta i kanë pas 51 për qind ndërsa në vend se të flasin me progres e të mirat që i kanë bërë, tash iu ka ardhë koha që të merren me zgjedhje për t’i mbuluar dështimet e tyre”, u shpreh ajo.
Tutje, Krasniqi deklaroi se LDK-ja si partia e parë në vend është e gatshme për zgjedhje. “Ne si LDK jemi të gatshëm për zgjedhje, ju e dini që 6 muaj pasi ka fituar VV-ja ne i kemi fituar disa komuna më të mëdha si partia e parë dhe jemi të gatshëm prapë. Sa më shpejt të shkoj vendi në zgjedhje aq më mirë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse LDK-ja kërkon koalicione me parti tjera, Krasniqi thotë se për këtë vendos Kryesia e partisë.
“Ne ende s’kemi bërë ndonjë mbledhje të kryesisë. LDK-ja është partia e parë në vend, dhe ndryshime të rezultatit sigurisht se presim sepse edhe 51 për qind janë të zhgënjyer nga tri vitet e kësaj Qeveria e cila nuk ka sjell ndonjë projekt që do mbahet mend”, deklaroi ajo.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, 2024-ën e konsideron si vit zgjedhor, ndërsa thotë se janë të hapur me partitë tjera për koalicione.
“Sa i përket këtij viti mund ta quajmë vit zgjedhor, sepse është fundi i mandatit të kësaj qeverie, dhe ne nuk kemi parë diçka të mirë prej kësaj qeverie, andaj sa më parë të shkoj vendi në zgjedhje aq më mirë për qytetarët e Kosovës sepse i kanë harruar qytetarët, e premtimet e si Aleancë jemi të gatshëm, jemi në vit zgjedhor mendoj se do hyjmë fuqishëm. Ju e patë edhe koalicionin me Nismën dhe mendoj që do të ketë një rezultat mjaftë të mirë këto zgjedhje. S’kemi vija të kuqë me asnjë parti, jemi të hapur për koalicione me çdo parti politike për koalicione parazgjedhore dhe pas zgjedhore”, u shpreh Lekaj.