Opozita nuk po pajtohet me versionin e ri të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Deputetë të partive opozitare deklaruan se kjo nismë ligjore shkatërron sistemin prokurorial dhe nuk është marrë parasysh aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe opinioni i Venecias.
Kështu u tha në shqyrtimin në parim të këtij projektligji para Komisionit për Legjislacion, ku ka marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Përkundër diskutimeve, me gjashtë vota për dhe vetëm një kundër, ky projektligj është proceduar për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.
Ministrja Haxhiu tha se në kuadër të objektivave reformuese, kanë vazhduar me prioritet hartimin e versionit të ri të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Për më tepër, ajo shtoi se është në përputhje të plot me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe me opinionet e Komisionit të Venecias.
Anëtari i komisionit, Driton Selmanaj u shpreh kritik ndaj këtij projektligji, me çka sipas tij tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky projektligj është problematik, duke përmendur edhe çështjen e përbërjes prej 19 anëtarëve.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe mbi raportin me amendamente të komisionit funksional për projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës./KP